BJESHKËT E TROPOJËS

| Nga HAMDI NUHIJU |

Dardani nga Shkupi dhe Bleroni nga Tetova. Lidhja e tyre e përbashkët është Universiteti i Prishtinës. Aty u njohwn, thelluan dhe vazhduan shoqërinë. Drejtimet nëpër fakultete i kanë të ngjashme, matematikë, fizikë dhe programim, por rrugëtimi i tyre jetësor dallon. Janë momentet e fundit të qëndrimit të tyre në konvikt! Dhe filluan të rrëfehen.

Taulanti bisedon me ëndje për gjyshin i cili në kohën e tij ka qenë mësues i dalluar. Përveç detyrave të mësuesisë, gjyshi i Taulantit është marr edhe me Komisionin për pajtimin e gjaqeve. Ka qenë pjesëmarrës në çetën e Anton Cetës, atij urtaku të madh i cili ka mundësuar krijimin e pajtimit të përgjithshëm kombëtar. Babai i Taulantit është torturuar shumë nga okupatori serb, shpesh herë ka tentuar që të vras veten. Në betejën vendimtare në Pejë, kur okupatori serb ka vendosur që ta zhbëj këtë qytet, ai e plotëson këtë nënvetëdije dhe thotë në vete fjalët emblemë:- Për Kosovën e pavarur dhe ther veten!

Dardani shkupjan ka pasur një jetë të vështirë si fëmijë. Ndarja e prindërve dhe zënkat e vazhdueshme familjare i kanë shkaktuar trauma psikologjike. Shpesh herë si fëmijë ka menduar të bëjë vetëvrasje. Të hip në një gur të madhe dhe të hidhet te poshtë. Te Ura e Gurit mbi Vardar disa herë ka tentuar që t`i ikë prindërve për t`u hedhur. Por, kalimtarët e rastit e kanë ndalur nga një tentim i këtillë. Por problemet e këtilla të mëdha familjare ai i ka shndërruar në nota të shkëlqyera në shkollë. Ka qenë i pari i shkollës në të gjitha lëndët. E kaluara e errët shpesh herë i del përpara dhe ai ka frikë nga gjithçka. Ka frikë nga minjtë, gjarpërinjtë, insektet. Frikësohet edhe nga terri.

Në anën tjetër, Bleroni nga Tetova, ka bërë një jetë luksi. Prindërit e tij kanë pasur bollëk! Merren me tregti. Ai ka ardhur në Prishtinë, rrëfen Bleroni, për të ndërruar ambient! Jo se i duhet shkolla, diploma dhe njohuria. Ka humbur të gjitha lidhjet e tij me kuptimet mbi jetën dhe vdekjen. Vendosin që të përmbyllin skenën e rrëfimeve. Të kalojnë në botën e aksionit dhe aktivitetit që krijon dhe prodhon energji.

Përcaktohen për të ecur në bjeshkë. Në mesin e shumë opsioneve zgjedhin bjeshkët e Tropojës.

Bjeshkët e Tropojës janë bukuria natyrore e Shqipërisë dhe shqiptarëve, rrëfen Taulanti. Ato janë të vendosura nga 160 deri në mbi 2500 metra lartësi mbidetare. Të pasura me lloj-lloj bimësh, Komunën e Margegaj e kanë bërë atraksion turistik botëror.

Për çdo vit nga mbarë bota, dashamirë të bjeshkatarisë ia mësyjnë këtyre majave dhe përjetojnë një ndryshim shpirtëror. Në to  gjenden lloj-lloj kafshësh dhe insektesh! Gjarpërinjtë janë puçur me natyrën e Tropojës dhe janë kajmaku i atij vendi.

Gjarpërinjtë, kërcen prej anash Dardani. Oh gjarpërinjtë! Nuk i dua gjarpërinjtë, i urrej, kam frikë, frikë.

– Domethënë nuk do të vish me neve, tha Bleroni.

– Do të vij pse jo. U përgjigj Dardani. Edhe pse kam frikë nga gjarpërinjtë, shoh në ëndërr shpesh se si ata më helmojnë, ma pinë gjakun dhe hedhin diku në pyll, do të vij. Unë e dua Shqipërinë, Tropojën, bjeshkët. Njëherë gjatë shëtitjes me shkollën nëpër Shqipëri, kam njoftuar një vajzë të bukur nga Tropoja. Emrin nuk ia mbaj mend, por ende e ndjej aromën dhe bukurinë e saj. Nëse ndonjëherë, Zoti me fal vajzë, dua që emrin t`ia lë Tropoja.  T`i ngjaj asaj bukuroshes së ëndrrave të mia.

– Unë e kam pasur një të dashur nga Elbasani, rrëfehet Taulanti. Quhej Kristela! Po Kristela! Me të u njoftuam gjatë pushimit veror në Durrës. E vendosëm një natë të ikim në Tropojë. Ajo natë ka qenë e paharruar. Dëgjoheshin ulurimat e ujqve dhe frymëmarrja jonë. Qetësi, heshtje, pastaj përsëri frymëmarrje, ulurima. Ah Kristela! Prej asaj nate, nuk di më asgjë për të.

Të nesërmen në mëngjes i hipin një taksi për t`u drejtuar për në Tropojë. Taksisti kureshtar kur e kupton destinacionin e këtyre të rinjve, fillon të rrëfehet. Në kohën e komunizmit, në Tropojë bëhej zbor. Mos u ktheftë kurrë ajo kohë. Armiqtë konspiracionist na detyronin që ta mbyllnim veten dhe vendin. Në realitet armiku i vetvetes ishim vetëm ne.

Nuk po të kuptoj, xhaxha, ia ktheu Taulanti.

– Shiko, Korenë e Veriut, ia bëri taksisti. Kush u shpall kampion botëror në futboll? Koreja e Veriut? A mund ta paramendoni fjalët, urdhrat, ligjet që zbatohen në Korenë e Veriut, sa ata banorë janë të informuar me situatën dhe gjendjen që mbretëron jashtë atij vendi? Një inxhinier në Korenë e Veriut merr pagë 10 euro në muaj, ndërsa një i ngjashëm në Shqipëri merr njëqind fish më shumë, të mos flasim për në vendet perëndimore. E tillë ishte Shqipëria në kohën e regjimit komunist, mos u ktheftë asnjëherë ajo kohë.

– Kam lexuar diku, vazhdon Bleroni, se Fatos Kongoli, Ismail Kadare, Kasëm Trebeshina, Petro Marko dhe shumë shkrimtar shqiptar, frymëzimin e kryeveprave të tyre e kanë gjetur në Tropojë.

– Tropoja mor bir ka qenë djep i kulturës dhe civilizimit! Por, politika e shkatërroi. Ikën të gjithë. Shumë emra të mëdhenj të artit e kulturës janë nga këto anë. Ato shkëlqyen jashtë, përndryshe, po të ngelnin në Tropojë do të përfundonin si unë.

Në përfundim të destinacionit, taksisti porositë këta të rinj:

– Rruga e mbarë dhe të keni kujdes nga gjarpërinjtë.

Taulanti, Dardani dhe Bleroni fillojnë të ngjiten në bjeshkë. Mahniten me ato bukuri natyrore që po shohin. Ky takim i parë me natyrën krijon një heshtje në mes të tyre. Asnjëri nuk po thotë asgjë. Duket sikur janë përballur me një botë të cilën nuk mund ta shohin as në ëndrra.

Ngjiten lartë për një kohë dhe Bleroni thyen heshtjen….

* Ky shkrim është botuar për herë të parë në Revista HESHTJE, numri i parë. Vazhdimin e shkrimit mund ta gjeni tek numri në fjalë