IMAGJINATA NJË FËMIJE (I)

| Nga MEDADIN LIMANI |

“Ejani kalamaja, nxitoni… përndryshe do të vonohemi kështu si ia kemi nisur, …”

Në një shkollë fshati. Autobusi ka ardhur në oborr dhe po pret. Sigurt, nxënësit do t’i shpien diku. 

Ja dhe mësuesit. Ata dalin jashtë, dhe fill pas tyre, në rrjesht për dy edhe nxënësit vihen në radhë për të hipur në autobus. Kush  me kë do të ulej ishte paracaktuar që më herët, madje edhe se kush nga cila dërë do të hipte si dhe mënyra se si do uleshin. Fëmijët hynin nga dera e pasme dhe heronjtë e regjimit, pra mësuesit, nga dera e përparme dhe do uleshin sigursht në sediljet e para. Në ndenjësen e vetme në të djathtë të shoferit, do të ulej kryeheroi i shkollës së Titos. Por kur hipi në autobus, fillimisht hodhi një vështrim mbrapa, vështroi mirë mësuesit si për të kontrolluar gjendjen dhe më pas i hodhi një vështrim nxënësve. Kështu, nxënësit e kuptuan menjëherë se duhej të heshtnin. Kështu ishin mësuar të vepronin. Kështu duhej të merrnin vesh nxënësit, pra mjaftonte një vështrimi i drejtorit, ndonëse këtë e bënin nga frika. Kësaj i thonin respekt dhe nderim

Më pas u ul me qetësi dhe i dha urdhër shoferit;

“Shofer, mund të nisemi” tha.

Shoferi iu përgjigj: “Sigurisht, zotëri, si të urdhëroni!” dhe u nis.

Para se të mbërrinte në sheshin e fshatit, ndërsa kalonte xhaminë, drejtori ngriti dorën e majtë dhe dha sinjalin që të gjithë ta shihnin. Mësuesit ia nisën me notën “sol”, pas së cilës filluan nxënësit. Kënga filloi si një kor, në unison dhe sikur të ishte një zë i vetëm, me një ton të lartë e të mbytur. Siç ishin mësuar të thonin:

“Tito është tri herë hero; hero, hero, hero…” vazhduan ata duke kënduar.

Autobusi vërtitej teksa fëmijët çirreshin dhe këndonin këngë. Një djalë i ulur në krah të dritares, duke kaluar pranë xhamisë, sheh gjyshin e tij të mbështetur në mur të saj, duke pritur ezanin. Natyrisht, pa e kthyer kokën, pa bërë asgjë me dorë si dhe pa buzëqeshur, me syrin e djathtë, pa lëvizur kokën fare, shikon djathtas, në drejtim të gjyshit, derisa zhduket imazhi i tij. Fshehurazi, pa u zbuluar nga mësuesit… I bie një lot nga syri, sërish shpejt dhe pa u vënë re, e fshin me dorën e djathtë. I kishin djersitur edhe pëllëmbët dhe kur fshiu lotët, thau pëllëmbën duke e fërkuar butësisht në karrigen ku ishte ulur. Sepse kostumi që kishte veshur nuk ishte i tij. Ia ka dhënë shkolla, pra është pronë e shtetit. Kostumet nuk ishin si kompletet e zakonshme, në fakt ishin kostume të vogla ushtarake tipike të yllkave shëmbullore. Jo çdo kush mund t’i vishte, vetëm posaçërisht disa fëmijë.

Të tjerët vishnin pantallona terital, ​​këmisha dhe një shall të kuq në qafë. Të dhëna hua atyre posaçërisht për këtë rast. Ata nuk duhej t’i bënin pis dhe të paktën të përpiqeshin mos t’i bënin me njolla. E gjitha kjo po ndhodhte ndërkohë që djali nuk ishte shkëputur për asnjë çast nga kënga. Madje, kur pa gjyshin, nisi të bërtasë edhe më shumë, duke e shqyer fytin sa nuk i iku zëri. Edhe nëse mësuesit e tij do e kishin vështuar në atë momente, nga pamja e tij dukej shumë i qetë. Nuk i humbi as buzëqeshja. Megjithatë, brenda vetes po përballej me të gjitha këto përjetime stuhish të brendshme. Përjetonte dhimbjen dhe mllef të grumbulluar në mendjen e tij, vetëm një Zot e di se çfarë luftërash po kalonin në botën e tij të brendshme në atë kohë. Por Tito as që ia kishte haberin për të gjitha këto, vetëm ai e dinte dhe gjyshi i tij…

Gjatë rrugës, kjo këngë u këndua pa pushim. Edhe pse kostumet ishin prej pëlhure të trashë dhe brenda në autobus ishte shumë vapë dhe të gjithë të djersitur, Tito duhej lavdëruar pa u ankuar asnjë nxënës. Duheshin kënduar këngët e regjimit me patjetër:

“Partizanët jetojnë në pyll/Ndizet zjarr/Ngrohin duart e këndojnë/Mbartin yllka të kuq në ballë/Më të gjatë se dëllinjët/Nga të gjitha kodrat/Shohin detin dhe lirinë.”1

***

Pionerët janë rreshtuar në pozicionet e tyre ku dhe do të nisë programi. 

Plot me autobuza, të gjithë të parkuar pranë sheshit të Shkupit. Pasi u lexuan emrat e shkollave, nxënësit dilnin një nga një nga automjeti. Njësoj siç kishin hipur, sigurisht pra që në fillim ishte drejtori, mësuesit dhe nxënësit i ndiqnin pas pa e prishur radhën. 

Vendndodhja e secilës shkollë në shesh ishte e paracaktuar. Secila shkollë zuri vendin përkatës me nxënësit e saj. Të gjithë në kembë. Gati-tu dhe prisnin të vinte Tito.

Ja pra! Tito u shfaq! Nga një tjetër hyrje në shesh të veçantë. Vërshime njerëzish nga të dyja anët, ndërsa ai i ulur në një makinë të hapur me kostumin e tij ushtarak. Makina ndaloi te sheshi ku ishte foltorja, ndërsa ai ia bënte me dorë të gjithëve përgjatë rrugës plot me punonjës civilë, nxënës dhe qytetarë. Gjëja më e habitshme e Titos ishin dorezat e tij të bardha, cigarja puro dhe syzet e mëdha.

Të pranishmit përbëheshin nga përfaqësues të ndryshëm shkollash, maqedonas ortodoksë-sllavë, shqiptarë muslimanë, turq muslimanë, romë të përzier nga të dy besimet, boshnjakë muslimanë dhe nxënës të besimeve dhe fiseve të tjera. Si dhe qytetarët. Të gjithë me fe, gjuhë dhe kultura të ndryshme. Secili prej tyre ishte edukuar me bindjet e veta, ëndërronin në gjuhën që flisnin dhe nuk hezitonin të ëndërronin edhe në ambientin e shtëpisë.

Nga ana tjetër, dukej sikur stuhitë e brendshme të atij fëmijës së mllefosur nuk ishin qetësuar, por ishin fryrë edhe më shumë gjatë rrugës. Sepse kur mbërritën në ambientet e programit, nxënësit e shkollës ngjitur i shikonin pranë dhe e kërcënonin me lëvizje duarsh. Madje shanin kur mësuesit nuk e kishin mendjen. Përpiqeshin t’i poshtëronin. Sidomos kur njëri nga fëmijët tha;

“Шиптарско џубре /Shqiptarët plehra” kur i dëgjojë këto fjalë, djalit të mllefosur i iku truri.

Pas këtyre fjalëve, djali u zemërua edhe më shumë. Ndihej shumë i pafuqishëm. Por për një moment mendoi “nami u bëftë”, dhe u largua nga rreshti, iu afrua djalit që tha atë fjalë, e goditi aq shumë sa u habit dhe ai vetë; ia futi disa herë, por sigurisht, urtë, pa e marrë vesh dhe pa e dëgjuar njeri. Më në fund, iu mbush goja me një “ohhh” me zë të ulët dhe u kthye në vendin e tij sikur të ishte çliruar dhe buzëqeshi. Por fill pas kësaj nisi të mendonte se nuk i shkonte atij këto lloj veprimesh. Por me një “hajtmo”e kaloi lehtë, dhe më pas zuri vendin e tij me një seriozitet unik prej pionieri. Gjithë këtë e veproi sipas këshillës së gjyshit të tij;

“Dëgjo bir, sidoqë të të vijnë punët, çka dëshiron që ta bësh, pa u vonuar fare bëje duke e imagjinuar sikur ndodh vërtetë, do e shohësh sa mirë do ndihesh” 

“Me vërtetë?”

“Po, ja unë përshembull. Isha në luftë si partizan. Doja aq shumë të kthehesha tek ti saqë e dëshirova aq shumë me imagjinatë dhe ja tek jam, mu përballë teje…”

“Hmm! Mirëpra gjysh, do e kem parasysh!”

“Kështu pra, bir! Mos ki frikë, derisa të rritesh kështu vepro…” 

Me sa duket, pra e gjithë kjo ngjarje paska ndodhur në kokën e djalit. Përndryshe, mjerë ai nëse do ta kishte bërë vërtetë. Jo vetëm fëmija, por e gjithë familja e tij, deri tek shtatë pasaardhësit e tij, do përballej me probleme serioze. Edhe djali e dinte këtë gjë, ndaj veproi sipas këshillës së gjyshit, por vetëm Titos nuk mundi t’i afrohej dot, dhe as nuk i arriti dot partizanët e tij. Liria e fëmijës shkojnë deri aty ku shtrihen kufijtë e botës së tij të brendshme.

(VAZHDON)