| Nga MEDADIN LIMANI |
“Çfarëdo që shkruaj lexo Tito / Çfarëdo që lexoj dije se është Tito / Çfarëdo që them dëgjo se është Tito / Liria është rruga jonë drejt paqes, Tito”
Kur aktiviteti afrohej nga mesi, këndohej gjithmonë ky lloj himni. Paralajmëronte se dhe pak kishte mbetur. Por fytyrat e fëmijëve ishin të zbehta, kishin qëndruar për orë të tëra në shiun e majit. Askush nuk mund të thoshte asgjë. Sepse ata kishin shumë frikë nga Tito dhe ai ishte shumë i pasur. Ai ishte shumë i thelluar edhe në fushën e mjekësisë. Edhe pse të sëmurë, fëmijët ishin të sigurt. Në fund të fundit, regjimi ishte gjithmonë i përgatitur me spitalet, mjekët dhe vaksinat e tij. Plus që shëndetësia falas…
Më në fund u kthyen në shtëpi. Ishte koha pas ikindie, edhe gjyshi u kthye nga xhamia…
“Bir, qenke lagur, do ftohesh!”
“Çfarë thua moj nënë, unë jam pioner i Titos, nuk ftohem madje kam vapë.”
“Hajt shko në dhomë se erdha.”
“O ma, po dhëmb barku…”
“Ah mor bir, ti po digjesh, paske temperaturë”
“Si? O ma!”
“Prandaj ke vapë. Mirë, shtrihu se erdha.”
E zuri gjumi. Djali kishte temperaturë. Ai gjithashtu kishte bronkit. Ishte sëmurë që ç’ke me të. I ati e mori në krahë dhe e çoi në urgjencën e spitalit. I dhanë vaksinën e penicilinës. Ai gjithashtu do të merrte shtatë gjilpëra të tjera gjatë shtatë ditëve në vijim. Madje falas…
I ati ishte i trishtuar, i zemëruar dhe i frustruar. Djali i tij ishte i shtrirë në sediljen e pasme të makinës blu Lada. Filloi të ëndërronte përsëri, në gjendje të vetëdijshme, edhe pse i sëmurë. Iu drejtua të atit:
“O ba! A na do Tito neve ?”
“Normal që na do, o bir! Vetëm se, duhet ta imagjinojmë sikur na do…”
“Hmm! Si sot përshembull?”
“Si përshembull, pse çfarë ndodhi sot, ke bërë gjë?”
“Po pra, por mos u mërzit, a mirë? Po ja, unë sot e rraha njërin”
“ç’thua mor bir”
“Na poshtëroi aq keq sa nuk e mbajta dot veten o ba…”
“Hej Zot, ç’paske bërë kështu?”
“Mos ki dert o ba! po e rraha, ama me imagjinatë, ta dish!”
“Hë, po mirë!”
Një buzëqeshje u shfaq në fytyrën e të atit. Ashtu si djali i tij, i lumtur dhe me shpresë. Pastaj ndjeu nevojën t’i jepte disa këshilla që ky rrëfim imagjinar të mos realizohej kurrë. Përndryshme e ardhmja e djalit të tij do të rrezikohej, por edhe e tija. Nuk duhej çuar dëm kot, duhej parandaluar në kohë.
Jetonin në “bashkim dhe vëllazëri”, që me sa duket ishte motoja e regjimit, si në tekste këngësh. Çdo risi urdhërohej të shoqërohej pas këngëve të regjimit sikur të thoshte “hajde njihemi”, por pas takimit mund t’u jepej kuptim përvojave të tyre. Ata duhej të përpiqeshin vazhdimisht që të mbanin masën nën kontroll përmes lavdatave ndaj Titos. Duhej të ishe gjihtomnë në gatishmëri për ta thënë përmendësh këtë slogan jo vetëm në rrugë apo në sheshe, por sidomos në institucionet qeveritare, jo vetëm për sa kohë ishin brenda tyre, por edhe nëse qytetarit i binte puna dhe kalonte para çdo institucioni qeveritar. Kjo ishte e vetmja rrugë… Kishte një lojë në të; me fjalë të tjera, vlente vetëm një fill i vetëm i ofruar në hapësirën publike të qytetarit: ose do të akrobohej ose do të varej. Megjithëse iu dha e drejta për të zgjedhur. Ishte sikur të thoshin “ose do të jetosh kështu ose shko the qafën!”.
“Nën flamurin tonë / Ne jemi pjonerët / Lexojmë këndojmë këngë / Jetojmë të lirë dhe të lumtur / Shembullorët e sotëm / Nesër heronjtë e kufijve / Ushtarët e Titos / Jemi ne bijët e atdheut”
Një ditë para pushimeve verore po i thonim lamtumirën vitit shkollor me këtë himn..
Teksti ishte mbresëlënës. Edhe fëmijët ishin të magjepsur prej tij. Ata ishin të lumtur, në fund të fundit, kënga ishte një gëzim për ta. Ditët e fundit të shkollës ishin një nga momentet e rralla kur ata ndjenin buzëqeshjet më të rehatshme lehtësimi dhe lirie. Ëndërrat ishte gjithashtu falas; as Tito nuk i shihte, as partizanët nuk i dëgjonin, as drejtori nuk i merrte vesh. Askush nuk i dinin. S’kishin si ti dinin….
* Ky shkrim është botuar për herë të parë në Revista HESHTJE, numri i parë. Vazhdimin e shkrimit mund ta gjeni tek numri në fjalë!