| Nga MEJREM KRYEZI |
U ngrita nga krevati si furtunë, vrap drejt derës, marramendja e kokës më bënte sikur më silleshin mendtë. Kur hapa derën, më iku gjuha. Para meje ishte një djalë i ri, nuk dukej fare i huaj. Në mendje më erdhën kujtime të ndryshme në lidhje me të. Për një moment mendova se isha çmendur. Ku po ndodhesha kështu? Ndërsa po përpëlitej në errësirë, një zë erdhi nga brenda.
-Hej shiko këtu, mjaft u shashtise si e marrë aty para derës dhe hajde më jep një emër. Të lutem mos ki frikë. Çfarë tipi që je, shkove të hapësh dritaren, u shtrive në shtrat, pastaj vrapove te dera si furtunë. Nuk më besohet se iu përgjigja thirrjes të dikujt si puna jote!
E hutuar nga ajo që kishte ndodhur, po shikoja në drejtim të një zëri burri që qëndronte përballë meje. Ndërsa nuk mund të kuptoja nëse isha në ëndërr apo makth, i njëjti zë më jehoi përsëri në vesh.
– Hesht, hesht, mjafton me kaq.
– Në rregull, qetësohu. Më lejo të të shpjegoj. Ti s’ke luajtur mendsh. Ashtu si fuqia ime është të kontrolloj trupin tim, po ashtu fuqia ime është të mjegulloj mendimet e tua. Qëparë, sapo të tregova një halucinacion. Në fakt, ti nuk shkove për t’u shtrirë, ishe në dritare, por për një moment tregove një dobësi, kështu që unë pata mundësinë të luaja me mendjen tënde.
Ajo që dëgjova prej tij më solli si një lloj qetësie në zemrën time. U ndjeva sikur po më kthehej ngjyra. Filloi të besdisej. Pasi mora frymë thellë, e pashë përballë meje, në këmbë. Nëse do të mund të shihja ngjyrën e fytyrës sime, do të thosha se ishte zverdhë. Nuk kisha më asnjë fuqi mbi të. Ai më kontrollonte plotësisht. Po pse ky i huaj më shikonte me kaq butësi!
-Mirë, mbaroi, nuk ke pse të kesh frikë, të shqetësohesh dhe të më bësh horr. Unë jam ti, ti e di që ti je unë, nuk mund të të lëndoj edhe sikur të doja.
Lotët më rridhnin nëpër faqe si shi. Fillova të qaj me forcën e fundit. Ai djalosh filloi të afohej pak më shumë pranë meje. Mund ta dëgjoja frymëmarrjen e tij, por ishte fryma që e kisha njohur gjithmonë. Edhe butësia e lëkurës së tij ishte e njëjtë me timen. E përqafova fort, dhe sa më shumë e shtrëngoja aq më me dënesë qaja. Dukej sikur një forcë më kishte nxjerrë nga hiçi dhe më kishte shpëtuar nga asgjëja. Pasi qëndrova kështu për disa minuta, ndjeva se diçka brenda meje filloi të merrte fund. Megjithatë, nuk isha bindur plotësisht.
– Po si është e mundur që unë jam grua e ti burrë? Ti s’mund të jesh unë.
– Nëse akoma e ke të vështirë ta besosh, atëherë më lejo të jem unë ai që do të bëj disa pyetje këtë herë.
– Ne rregull.
– A ke ndjerë gjatë kësaj kohe se diçka i mungonte vetes dhe po kërkoje dikë, apo e kam gabim?
Po, unë kam qenë në një kërkim për një kohë të gjatë.
– Ajo që të mungonte ishte në fakt vetvetja. Si grua të kanë thënë gjithmonë ik nga vetja, tëhuajsohu nga vetja. Dhe ti ike sa më larg vetes për t’i kënaqur ata. Ti më thirre sepse prisje një shpëtimtar. Arsyeja që më quajte burrë ishte sepse mendove se ky shpëtimtar nuk mund të ishte grua. Sepse në atë rast edhe ai do të ishte i dobët si ti.
– Jo, e ke gabim. Unë jam një grua e fortë, nuk kam ashtu karakteri që i nënshtrohet të tjerëve. Dhe shiko, unë jetoj këtu vetëm.
-Po, pikërisht se je një grua shumë e fortë, bëre atë që shumica kanë frikë të bëjnë: zgjodhe të përballesh me veten dhe më thirre. Unë jam ana jote që ti urren më shumë dhe përpiqesh ta shtypësh vazhdimisht. Unë jam turbullira e mendjes sate, jam drita e errësirës sate, jam ana jote më e dobët dhe më e fortë. Dëshirat e tua më të fhsehta që nuk mund t’i ndash me askënd. Unë jam pjesa më e nxehtë e feminitetit tënd. Kur të ndalosh së luftuari me mua, kur të më dorëzohesh, kur të jemi një, atëherë do të gjesh të gjitha gjërat për të cilat je në kërkim. Nëse nuk më reziston, pjesa jote që të la shumë vite më parë do të ribashkohet me ty dhe ne do të jemi të plotë.
-Ti je ana ime më e nxehtë e feminitetit tim..? Në ç’kuptim?
Ana jote që e ke gjithmonë të vështirë ta injorosh, pra. Ana jote që detyrohet gjithmonë të dorëzohet. Ana që të është imponuar për të pasur nevojë për njerëz të tjerë. Pra, që lufton gjithçka që të pengon të jesh vetvetja. Ti jeni një grua e vetëplotësuar. Por për të qenë grua, pritet të jesh edhe grua, pritet të jesh edhe nënë. Nuk mjafton të ekzistosh si vajza e dikujt, do të duhet të jesh gruaja e dikujt dhe nëna e dikujt, përndryshe e ke bërë gjysmën e rrugës. Unë jam ekzistenca jote e vetmuar. Unë jam edhe ana jote rebele
U përtypa mirë pas asaj që tha. Ajo që kisha pranuar si normale doli të mos ishte normale për mua. Po, isha unë në radhë të parë, isha ajo që ekzistonte para të gjithëve dhe të gjitha cilësive, që duhej të isha. Atëherë duhej të isha një herë bijë, pastaj nëse doja mund të bëhesha bashkëshorte, nënë. Duhej të kisha vazhduar të isha unë ndërkohë që po ndodhte e gjithë kjo. Më në fund mund të arrija të shihja se kisha një problem me këto që i shtyja gjithmonë. Por kjo nuk ishte e gjitha, të paktën për dikë si unë, kjo nuk duhej të kishte ndodhur. E shtyva veten pak më shumë. U përpoqa të futesha sa më thellë në nënvetëdijen time. Unë do të bëhesha psikologe e vetes.
Unë isha unë me mishin dhe gjakun tim, mendimet e mia, ndjenjat e mia, frikën time, dëshpërimin tim, mëkatet e mia, veprat e mia të mira… dhe shumë të tjera, vetëm unë. Nuk kisha nevojë për cilësi të tjerë. Çfarëdo pyetjesh që kam, unë jam përgjigja për gjithçka. Nuk duhej të isha krenaria dhe drita e syve të ballit e prindërve të mi. Përderisa do të hyj vetëm në varr dhe do të jap llogari vetëm për veten. Pra, pse nuk mund ta jetoj jetën time si unë! Përderisa nuk vjedh jetën e dikujt tjetër, nuk bëj padrejtësi dhe nuk luaj me shpresat e tyre, nuk duhet të jetë opinioni i dikujt tjetër që do të më pëngonte nga të qenit unë dhe që përgjegjësia e vendimeve të mia nuk duhej të më atribuohej vetëm se mua. Pa marrë parasysh se çfarë, unë isha e vetmja që mund ta njihja çfarë është më e mira për veten time.
Duke menduar për këto, kuptova se po censuroja mendimet e mia dhe se nuk mund të isha vetvetja as kundër vetes. Shumë rebelime të tjera që i solla në majë të gjuhës, por që nuk mund t’i shprehja me fjalë, mbetën brenda meje. Nuk munda të dilja nga kallëpet, as nuk mund t’u shpëtoj gjykimeve të të tjerëve për mua; nuk munda ta hiqja nga shpirti ankthin prej tyre, pavarësisht se çfarë do të thoshin apo mendonin nëse do të më dëgjonin në këto momente. U pendova për momentet kur mendoja se nuk më kuptonin dhe më vinte inat për paaftësinë time për të kuptuar veten.
Pritshmëritë e shoqërisë ndaj meje ishin nga më të ndryshmet. Ashtu si çdo grua e një moshe të caktuar, pritej të bëja sakrifica, të injoroja veten dhe të hiqja dorë nga pasionet e mia që më lidhin me jetën. Për të kisha kaluar cakun, dhe gjithë këtij shpërqendrimi duhej t’i jepja fund.
Por cilat ishin pritshmëritë e mia për veten time? A po refuzoja vërtet gjithçka? Sigurisht që jo. Këto nuk ishin gjëra për t’u shmangur ose për t’u frikësuar, po, por nuk ishin gjëra për t’iu dorëzuar plotësisht. Mund ta lija të ishte një pjesë e jetës sime, një pjesë e saj, por nuk mund ta lija që t’i largonte të gjitha nga unë. Por njerëzit e keqkuptuan këtë, si çdo gjë tjetër. Ata thjesht prisnin që diçka të ndodhte. S’ka problem, le t’i thyhen krahët. Megjithatë, nuk pranova që të më thyheshin krahët, doja një jetë në të cilën të mund të fluturoja sa më larg që të ishte e mundur dhe pa frikë. Në asnjë fushë të jetës sime, nuk mund të thoja “shëndosh” sido që të shkonin gjërat.
Tani mund ta kuptoja pse këtë imazh të vetes e mishërova si mashkull. Doja forcën e tij; pjesën e pakufizuar të drejtësisë që i jep shoqëria një mashkulli. Doja pranim pa pasur nevojë për praninë e dikujt. Doja dinjitetin që i jepet një mashkulli, dinjitet ky i cili nuk m’u dha kurrë. Doja komoditetin e ecjes nëpër rrugë në mesnatë. Në fakt, doja që ata të shihnin se nuk kishte asnjë ndryshim mes tij dhe meje. Nëse unë mund të qaja, edhe ajo pjesë tjetër e imja duhet të jetë në gjendje të qajë. Nëse ajo pjesë mund të qeshte, duhet të jem në gjendje të qesh edhe unë.
Të gjitha këto po i bërtisja përballë të panjohurit në shtëpinë time. Bërtita deri në atë pikë sa zëri im ra në heshtje. Ndërsa unë bërtisja, ai gjithë krenari ia behu: “Po, pra! Ja kaq. Kjo është gjithçka. Mos hesht, vazhdo”. Të qarat tona tani ishin përzier. Ishte e paqartë nëse ai po fliste apo isha unë. Zërat, fjalitë, lotët i ngjanin të gjitha një simfonie.
Ndërsa përballja më e madhe e jetës sime me një të panjohur ndodhi brenda shtëpisë sime për orë të tëra, koha më në fund hodhi vellon. Muzgu nuk ka qenë kurrë kaq tërheqës. Nuk ishte drita e ditës që depërtoi në dhomën time, por sikur dielli të kishte lindur në dhomën time. Unë rilinda atë ditë. Librat e mi që nuk mund t’i lëshoja prej duarsh, flokët më binin mbi supe dhe ai i huaji që priste prej meje një emërtim… Reflektimi im ishte pikërisht përballë meje. Sytë e mi, duart, shpirti dhe trupi im. Që nga ajo ditë, më në fund i vura një emër dhe nisa ta thërrisja gjithmonë me emrin tim.
FUND!