| Nga LIRIDON HYSENI |
Edhe sa mbi këtë dhe
Të përmallohen nanat
Edhe sa të ikin zanat
Edhe sa të qajnë fmitë
Edhe sa të ngriten pankarta
Edhe sa të shuhen zërat
Edhe sa të ngopen të ligjtë
Që djalli mes nesh të ikë…
Rrugë të zvarritura
Në skëterra e në britma
Në satirë të heshtura
Me parime të shpërfillura
Ku ecin me krenari të urrejtur
Llapojnë lavdin për mëmëdhe
Sikush hakun duke vjedhur
Edhe sa mbi këtë dhe
A do thërrasim prapë furtuna
Kob i ashkut që mbanë zi
Të pafytyrët po qepin gunat
Tash kur fiket i fundit qiri
Nëpër terrin e rrëfimeve
Faqebardhët buçasin me mëri
Si shkoi koha e bredhi kujtimeve
Ne nuk zumë as diell as shi
Mos pandehni për viktima
Ju që heshtjen mbajtët në frikë
Vetëm zemrat nuk bëjnë trima
Të ligut s’i është falë asnjë ditë
I rrëmbyen motet brinjas
E zhvatën shtëpinë nga stolitë
Tash na pëllasin lavd përciptas
Se e ardhmja është për të rinjtë
E për sa të ndërrohen hënat
Nëpër netët pa qirinjë
Do të qajnë e thërrasin nënat
Nëpër britma për fëmijtë
Shuhen zërat, ngriten pankartat
Penat shtrihen në qetësi
S’ka të zot që ia thotë fjalës
As në diell, as në shi
Edha sa të mbesin vashat
Nëpër ankth, torturë e zi
Edhe sa të mbesin çunat
Në një thes me çdo faqezi
Edhe sa të vihen kunjat
Ta kremtojnë në padrejtësi
Mortin e penave të heshtura
Deri kur do të mbajmë zi?!