| Nga DASHURIJE BAJRAMI |
Se fjala rastësi tek unë s’ekziton,
të ta them me plot përgjegjësi,
të lutem mos më thuaj “si guxon”,
çdo gjë është e shkruar, shumë mirë e di!
Mos më thuaj thjesht heshtjen ta vras,
mençuria i kupton dhe fjalët e pathëna,
e di s’më kupton por dot s’bërtas,
do vazhdoj t’bëj atë që ma thotë zemra!
Sikur t’më lexoje dje pak nëpër fjalë,
sot fare habia s’do të humbiste,
askush para dot s’më kishte dalë,
as heshtja ime ty s’do të habiste!
Dhe sot me heshtjen sikur u mishërova,
mund të duket se e kam gabim njëmend,
një gjë gjërë e gjatë mirë e meditova,
S’mund të lëndohem dy herë në një vend!