| Nga NADA DOSTI |
“Por ka aq shumë vajza të bukura dhe të pastra shqiptare nga fshatrat përreth, saqë duken si zana me fytyrën dhe pamjen e tyre engjëllore..”
Evlija Çelebiu
Udhëpërshkrimet (Sejahatnameja)

Nëpër rrugët e Skampit, çdo kalldrëmë është volusur me firmën “Vura-Dorë”. Mu aty pranë pazarit, ecin pa shkelur mbi tokë zana dhe hyri parajse. Me fustane thurur prej mëndafshi mbledhur tek Ullishtet dhe larë në ujrat e Shkumbinit. Flokë të gjata gërshet deri në midis dhe faqe si ballokume. As të bardha as të verdha. Lëkurë ngjyrë kafeje dhe sy prej smeraldi. Flasin një tjetër gjuhë me lloj lloj notash muzikore, sa lule ka në fustanet e tyre. Esnafët thurin qilima, kurse fëmijët ëndrra.
“Vajta n’Elbasan për met ble fustan” por fustane si dikur nuk gjeta. Gjeta radio të vjetra që transmetonin kujtime prej një tjetër zamani. Kulla e Sahatit si zonjë e randë qëndron stoike mu në mes të sheshit, dhe vëzhgon të gjithë prej lartësisë së saj të fisme.

Frymohet ajër i rëndë, i njëjti që për vite me radhë vrau fëmijë dhe gjymtojë plot shpirtra të tjerë. Në këto rrugica pa kalldrëma vegjetojnë krijesa gjysëm njeri. Fati i tyre shkruar mbi fletë të ndritshme prej një tjetër bote, jo më vonë se dyzetëditë bashkëjetese në barkun e nënës, dhe vulosur me damgë qymyri prej regjimit të kohës.
Aroma simite me bugaçe përzier me Tavën e famshme kanë cilësi magjike për të të rikthyer pas në kohë, në fëmijërinë e hershme. Parfum jasemini mbulon gjithë qytetin, ndërsa përçohet në çdo cep zhurma e thyerjes në dysh të një ballokumeje kur ndahet me të tjerët. Sepse Mikpritja, në qytetin ku dyert për mysafirin nuk mbyllen kurrë, është personazhi kryesor i një përralle mbrëmjeve pranverore. Përrallë të cilën gjyshja ia rrëfen mbesës duke ia lidhur në dorë një byzylyk prej peri trengjyrësh të gërshetuar, thurur me iluzionin se do e ruajë nga fantazmat dhe bishat e egra. “Gjumë të ëmbël” dhe “natën e mirë” kthehen në lutje që e shoqërojnë vogëlushen deri mëngjesin e pesëmbëdhjetë marsit.