| Nga HAMDI NUHIJU |
Asgjëja është rruga drejt gjithçkas. Ram Das, psikolog amerikan, është njëri prej personave me ndikim që ka trajtuar me dashuri asgjënë!
Asgjëja është thërrimë, nismë, pika zero! Ekzistencë! Ekzistenca si term është i ngjashëm me asgjënë. Nuk pajtohesh? Kur para vetes të paraqitet asgjëja të shkon mendja te ekzistenca. Unë jam asgjë-unë ekzistoj! Sa më shumë që e njohim dhe e duam asgjënë vazhdojmë të rrezatojmë pozitivitet dhe drejtësi.
Nëse asgjëja nuk ekziston, atëherë si mund ta kuptojmë ekzistencën, qenien, botën? Procesi i fotosintezës, rritja e luleve, thithja e rrezeve, ndryshimi i kohës dhe fazat e lindjes së njeriut që përshkruhen edhe ne librat e shenjtë të gjitha janë në harmoni të plotë me asgjënë. Momenti i shpërfaqjes në botë të njeriut si dhe imponimi i djallit për t`i rënë në sexhde, e vë në dukje asgjënë.
Ne jemi asgjë para kaosit dhe rendit! Të mbërthyer me rregulla komunikacioni, të ndrojtur nga ligjet e respektimi i tyre, krijojmë dhe rrisim dogmat e paragjykimet për Tjetrin! Dhimbja jonë trupore dhe shpirtërore është asgjë përballë shkallëve tjera të dhimbjes.
Asgjëja është një tingull që jeton midis dy skajeve të modestisë dhe mendjemadhësisë. Si një zile që bie në momentin e lëvizjes, ashtu ecë nëpër fijet e ndërgjegjes dhe shkërmoqjes së mjerimit. Kur në vete dëshiron ta përshkruash fenomenin Tjetri, bisedo me zë para pasqyrës dhe thuaj: jam asgjë- unë ekzistoj!
Ta duash asgjënë është e ngjashme me dashurinë për vdekjen. Njerëzit që nuk frikësohen nga vdekja dinë të jetojnë si dhe ata që e trajtojnë me dashuri asgjënë, kanë gjithçka!