| Nga BLEARD MEHA |
Tablonë ta dha Zoti,
Merri ngjyrat,
Pikturo,
Veç pikturo me ngjyra të ndritshme,
(Aq sa edhe korbin, të bardhë ta ngjyrosësh)
–
Paleten, e mbush rrugës
Ngjyrën e kuqe
Nga trendafili me gjemba ta shtrydhesh
Të kaltërtën e qiellit,
Në thellësitë e oqeanit ta mbledhësh
(Të verdhën-kur shikon diellin me sy)
E të bardhën
Nga pëllumbi që e lëshon në qiellin e bollëkshëm
–
Pikturo,
Veç pikturo me ngjyra të ndritshme