ETHET E SABATOS

| Nga NIKI BAJRAMI |

Përsiatje mbi veprën “Rezistenca”
Mendimtarët e mëdhenj vuajnë shumë prandaj kapin penën dhe shkruajnë. Nuk janë të rrallë shkrimtarët që shkruajnë për botën e sëmurë dhe të kalbur të njerëzve. Nuk janë të rrallë as ata mendimtarë që shkruan për filozofë dhe studiues tjerë që ishin të “sëmurë”, jo për nga keqardhja por nga dhimbja e përbashkët shekullore. Patëm lexuar sa bukur shkruajti Jalom për Niçen dhe Shopenhauerin — me një shpirt romancieri dhe shpeshherë me një zë kritik për filozofinë e tyre. Ky imi nuk është një i tillë as nuk pretendon të jetë i tillë. Këto mbesin reflektime personale dhe shkrirje bindjesh. Sabatizmi nuk ishte një plan në vete për shpëtimin e njerëzimit por një gërmim në të kaluarën për përgjigje dhe shpërfaqjen e së tashmes së turbullt.

Mbi shpirtin dhe njeriun
Njerëzit dhe mjekët ,  duket që kanë harruar që shpirti vdes kohë më pare se sa trupi dhe mendja . Nën ethet e shuarjes së qenies, te autori ngjallet një ndjenjë e pikëllimit. Kjo rrjedhë ndjenjash nga ai shndërrohet në një patos të fortë përgjatë gjithë shtjellimit të librit për zhveshjen nga çdo sentiment njerëzor, nga njerëzit e largët që i shohim përmes prizmit televiz , që na duken më të afërmit dhe të dashurit tonë. Dëshpërimi e kaplon ngaqë ndien veten të paaftë pasi braktisi shpirtin e tij atje ku një kohë ishte fëmijë , mesmerizohet nga kujtimet që njëherë ekzistonte një botë pa “sëmundje” që tani përballë kolosit globalizëm është shkundur dhe kthyer së prapthi.
Ingranazhet e tij ,  kapitalizmi arrogant dhe teknologjia përshkuan imunitetin biologjik, një ritëm i ndryshimeve dinamike aq sa nuk i la kohë të nevojshme njeriut për përshtatje (adaptim), që sollën sëmundjet moderne vdekjeprurëse. Indiferenca e mjekësisë ndaj trajtimit të sëmundjeve të shpirtit ishte fillimi i sekuencave tragjike, gjithçka e njohur trajtohet — gjithçka e panjohur merret si somatike. I vetmi kafaz i shpirtit është trupi dhe nëse mendja jonë nuk arrin të çlirohet nga frika, ai shpirt asnjëherë nuk do të jetë i lirë, ai shpirt asnjëherë nuk do të prek tjetrin, nuk do që të arrihet as të zbutet — aq më pak të dashuroj. Ekziston një ekulibër mes shpirtit dhe mendjes që rrallë herë arrihet. Nuk do e mbys ketë shkrim me një pesimizëm poetik por aq sa është e nevojshme për të kuptuar që kurrë nuk kemi guximin të jemi aq të lirë sa në të vërtetë kemi liri në duar. E trishtë, e mjerë. Lartësohët individiualizmi në këto dekada përmbyllëse të shekullit — vetëm për t’u konformizuar në një cikël të ri me rregulla tjera dhe nënshtrim ndaj një statukuoje idiokrate.
Kapacitetet tona për të modifikuar kulturën janë prezente, për më tepër, nuk janë të pakët ata studiues të cilët kanë ngritur zërin që ne ,  njerëzit nuk kemi kulturë autentike por vetëm të trashëguar. Nuk do të thotë kjo që nuk mundemi të asimilojmë kultura tjera , përkundrazi mundemi që të asimilojmë çdo kulturë dhe t’iu përshtatemi secilës rrethanë ,  gjë që deri më tani e kemi bërë vazhdimisht ironikisht nga opresioni ose mbijetesa. A do të jetë vallë rezistenca e të pakëve në këtë etapë historie e mjaftueshme që të mbijetojmë? Vlerat tona shpirtërore duhet të mbijetojnë me sakrifica dhe virtytet si “trajtimi mjekësor”. Kur shpëtojmë vlerat njerëzore shpëtojme njerëzimin.