VEJUSHA

| Nga LYSIEN DISHA |

E lodhur, por këtë mund t’ia them vetëm shpirtit tim. Ka disa ditë që edhe atë nuk e ndiej, mos t’a dija që nuk mund të bëjë njeriu dot pa të, do të thoja që edhe ai më ka braktisur. Edhe dy orë mëngjesi erdhi. Sa herë kam dëshiruar mos të vinte kurrë, por sot nuk e kam problem. Ka bukë dhe qumësht në raft. Të paktën jam e qetë, mund të ushqej fëmijët e mi këtë mëngjes. Po darka? Mos vallë kalova drekën papërmendur? Është rast tepër i rrallë të mund të ushqej fëmijët e mi për dy vakte rradhazi, ndërsa tre është e pamundur. Dua të kapem pas një fije shprese dhe të vazhdoj para, por sa herë që bëj një hap, e qara e fëmijëve më këput edhe atë fije shpresë. Zgjohem, lahem, bëj gati mëngjesin dhe më në fund fëmijët nisen për në shkollë. Disa orë e vetme nën hijen e rëndë të skamjes. Ulem nën oxhak dhe shikoj drutë të digjen ngadalë ashtu sikurse digjem edhe unë. E rëndë skamja, por më e rëndë është të jesh e vetmuar, akoma më e rëndë është të jesh grua, e akoma më e rëndë është të jesh e ve’.