| Nga DRITAN SKENDERI |
Do m’braktisësh po më thua
Do t’i fshijsh dhe gjurmët tua
Përveç kohës, s’do m’lësh kujtim
T’i hapësh rrugën për shërim
Harron që koha me rrjedhë të vet
Siç shëron ashtu dhe tret
Tretja është shërim e vdekje
Është dhe shkrirje, është gjetje
S’prish punë, jo, ti shpirti im
N’daç mos m’eja as n’varrim
Por, s’e dëshmon dot për së gjalli
Ç’mund t’dëshmojë një prej varri
Si prezencë si lashtësi bashk’
Si mungesë si përjetësi n’ashk
Janë pasqyra e piktura ikjesh
Vrima t’zeza n’pika mbërritjesh
Dhe më ikjet na afrojnë
Me largësitë që s’përfundojnë
Mbërritjet sapo të largohen
Ndarjet vijnë që të takohen
Kush kujt, t’lutem, do t’i mungojë
Ndarja kur të na takojë?
Pse të presim gjersa t’vdesim
Kohët tona n’një t’i ngjesim
T’gjithë epokat n’kohë janë bashk’
Njejtë si zemrat, t’shkrira n’ashk