| Nga Nada DOSTI |
“Kënaqu dhe për mua” më tha, teksa bëja gati valixhet disi në faj sepse të shtëpisë ishin në merak. As nuk më kishin dhënë miratim as nuk më ndalonin dot. Mezi e kishin firmosur atë copë letre ku thuhej se ishin razi me mua që udhëtoja e pashoqëruar. Ishte hera parë që do dilja jashtë vendit. Madje ende pa mbushur tetëmbëdhjetëvjeç. Mosha kur mund të marrësh patentë, të votosh, të lidhësh kurorë…
“Me lidhë kurorë… ” Si lidhet kurora?
“Hajt pra, rrugë të mbarë. Kënaqu dhe për mua” përsëriti ajo. E cila nuk e kishte gëzuar kurrë lirinë time. Aq çapkëne dhe lozonjare sa s’kishte arritur dot të fitonte besimin e prindërve. Kudo që shkonte do më dërgonin mua ta shoqëroja. Si bisht nga mbrapa. Por këtë herë nuk isha më bishti. Isha vetëm drejt një vendi të panjohur.
***
Zgjohem në qytetin e vogël sa një kuti muzike. Kur kurdisej ingranazhi dhe në sfond luhej ninulla vetmisë, sillesha rreth e rrotull qytetit duke u gjendur po tek pikënsija: kulla e Sahatit ngjyrë kafe si espresso. Aty pranë kullës gjendet një ëmbëltore me traditë mijëravjeçare. Një, dy, tre, katër, pesë ..shtresa pandispanje me kakao dhe sipër çdo shtrese një tjetër shtresë kremi. Mbi të, një topth akullore e bardhë. Shoqërohej gjithmonë me kafe. Banorët e qytetit sikur ushqeheshin vetëm me këtë lloj ëmbëlsire. E kuptova sepse teksa po porosisja, kamerieri më shikonte çuditshëm. Kushedi çfarë gjuhe i dukej se flisja teksa listoja lloje të ndryshme ëmbëlsirash ndërkombëtare. “Nuk i njohim aspak këto lloj emrash, lëre pastaj t’i kemi në dyqan. Por mund t’ju ofrojmë specialitetin tradicional të dyqanit tonë, dhe simbolin e qytetit” duke treguar me dorë në vitrinën e frigoriferit me xham ku ekspozohej vetëm ëmbëlsira e famshme me pesë shtresa dhe akullore sipër. Që shoqërohej gjithmonë me kafe. Kur binte borë qyteti dukej si ajo lodra e rrumbullakët me bukë peshku sferikë të vegjël që kur e kthen me kokë poshtë fjollat bien nga toka në qiell.
Ditën e dielë i gjithë qyteti flinte. Derisa këndohej thirrja e dytë e ditës duke mbërrirë edhe në fshatrat përreth. Mëngjesi i ditëve të diela kishte një aromë të veçantë qetësie dhe pastërtie. Ndërsa unë shëtisja në maj të gishtërinjve për mos të zgjuar banorët. Nuk kishte shumë vende për të vizituar. Thjesht rrugë, rrugica, xhami, shkolla, spitale dhe një lum që kalonte mes përmes qytetit të vockël. Asgjë interesante, përveç rrugëve bosh, makina patatinash të parkuara që nuk ndotnin ajrin, dhe nuk zhurmonin buria. Qetësi totale, si në asnjë tjetër vend të botës. Por unë kisha një mision të rëndësishëm për të çuar deri në fund: duhej të kënaqesha edhe për të.
Teksa rrija ulur në një stol përballë lumit, i cili ndante në dysh qytetin pyesja veten a po kënaqesha. A isha e lumtur? A ndihesha e plotësuar, apo e ndarë përgjysëm? Një pjesë e imja donte të kthehej mbrapa në shtëpi. Pjesa tjetër donte të rrinte këtu përgjithmonë. E ku ta dija çfarë ishte lumturia, në fund të fundit ende s’kisha marr leje drejtimin, dhe s’kisha as të drejtë të votoja, lëre pastaj të udhëtoja jashtë vendit pa razinnë e prindërve.

Më shumë marrin njerëzit nga natyra e vendit se sa vendi projektohet sipas natyrës së njerëzve. Derisa njeri dhe qytet shkihen në një qenie të vetme që nuk ndahen më nga njëra tjetra.
Megjithatë po ndihesha si në shtëpi. Edhe pse rrugëve të qytezës kuti shkrepse dëgjoja shumë gjuhë të huaja njëkohësisht. Madje të gjitha edhe nga një person i vetëm.
Një familje më hapi derën, më shtroi sofrën. I zoti i shpisë më thirri “bijë”. Komshinjtë erdhën për të parë mysafiren që vinte treqind kilometra larg, matanë malesh e kodrash. Nuk e kuptoja mirë të folurën e tyre melodioze edhe pse flisnin të njëjtë gjuhëamë. Gratë vishnin kaftane edhe në shtëpi dhe mbartnin tonelata ari në qafat dhe krahët e tyre. Më dhimbseshin, edhe pse ato dukeshin të lumtura. Ndryshe nga unë, ndoshta tashmë do e kenë gjetur lumturinë e tyre. Ndoshta!