Imer Topanica (1983), është i diplomuar në Universitetin “Hasan Prishtina” në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Autor i librave: UDHËTARËT (roman), Princi, Tiranë 2013; TUFË DRITE (poezi), Rrokullija, Prishtinë 2014; SHËNIME TË PAMJAFTUESHME (poezi), Armagedoni, Prishtinë 2019; LAVDI MARRËZIVE (roman), Muza, Prishtinë 2020.
Përmbledhjen me tregime KËPUCËT E VDEKJES, e përmbylli si projekt përgjatë qëndrimit njëmujor në rezidencën për shkrimtar në Stamboll, në kuadër të programit për mysafirët artistë nga pesë vende të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht: Rrjetit Rajonal për Diversitetin Kulturor – READ, vitin e kaluar.
Poezi, tregime e vështrime kritike i janë botuar në gazetat dhe revistat letrare në Prishtinë, Tiranë e Shkup, si: ObserverKult, Jeta e re, Illz, Akademia, Shenja, Verbi, Koha Ditore, Zëri etj. Një pjesë e veprimtarisë së tij është përkthyer edhe në anglisht, turqisht e serbokroatisht.
Ai ka kontribuar me një poezi në antologjinë botërore poetike “World Healing World Peace 2020”, e cila u publikua nga shtëpia botuese amerikane Inner Child Press International. Bëhet fjalë për poezinë “Dashunisht po të thërras” (Come, I’m calling thee affectionately), e shkëputur nga përmbledhja e dytë me poezi. Po ashtu tregimi i tij “Gjashtë” është përfshirë në konkursin ndërkombëtar si dhe në botimin e përmbledhjes me tregime Biber 03, ndërsa është përkthyer në gjuhën angleze dhe në gjuhën serbe.
Topanica është vlerësuar edhe me çmime letrare. Për një kohë të gjatë ai e ka ushtruar edhe zejen e gazetarit dhe redaktorit në shumë media kosovare. Aktualisht ai është kryeredaktor i Gazetës online “Fol Drejt” dhe autor i emisionit “KUADËR”, prodhim i kësaj gazete.

Gazetari dhe letërsi! Cila është në fakt dashuria juaj me shikim të parë? A do kishit veçuar njërën nga të dyja?
REVISTA HESHTJE
Letërsia! Në gazetari kam ngecur krejt aksidentalisht. Them aksidentalisht ndonëse nuk ka asgjë aksidentale a rastësore në jetën tonë. Ndoshta nga perspektiva njerëzore po, por jo nga plani i Zotit. Gjithsesi, në rastin tim, secila nga veprimtaritë e ka ndihur tjetrën.
Pastaj a s’na rrëfen historia? Plot nga emrat e mëdhenj të letërsisë si Hemingway, Markez deri edhe Joyce kanë flirtuar edhe me gazetarinë. Ky s’është veç një ngushëllim.
Përse shkruani? A është shkrimi për ju nevojë dhe domosdoshmëri, apo është pasion dhe kalim kohe?
REVISTA HESHTJE
Nuk e di. Kur më vjen të shkruaj, nuk i kam këto dilema. Kur reflektoj pas aktit të shkrimit, si në këtë rast i shtyrë nga pyetja, nxitem të jap përgjigje të mëdha, sikur do të thoshte Hafiz Shiriazi: Jam një instrument në dorën e Zotit! Por pastaj më vjen ta “edukoj” egon.
Një personazh te një roman i Elif Shafakut thotë se bota është një “kazan i madh” në të cilin të gjithë hedhim melmesat tona, prandaj duhet të jemi të ndërgjegjshëm për këtë aspekt. Shpresoj që këto të miat t’ia zbutin sadopak shijen pelin të kësaj dynjaje.

Ju shkruani edhe poezi edhe prozë, po cilën keni më shumë për zemër?
REVISTA HESHTJE
Secilën nga to, nëse idenë arrijnë ta mbërthejnë ashtu siç synoj unë sipas vizionit tim fillestar. Në të vërtetë gjithnjë gjej fije që kanë dalë përtej planit të dizajnit të cilin e kam thurur me nge dikur. Nuk jemi të përkryer… më të përkryerit prej nesh janë ata që vazhdimisht provojnë ta përsosin zejen.
Përveç luftës, migrimit, dhe traumat përkatëse, element i rëndësishëm ose ndër më të rëndësishmit në veprat tuaja janë edhe gratë. A është kjo një strategji postmoderne pasi tema e grave mbetet trend në çdo sferë të artit, apo është një dert i juaj lidhur me ndonjë arsye personale?
REVISTA HESHTJE
Motivet më vijnë nëpërmjet rrugëve të çuditshme. Shpesh më kanë ndihmuar leximet e veprave të shkrimtarëve të tjerë, kryesisht të huaj, ndonjëherë prej një kënge, muzike, filmi a udhëtimi. Në rastin e prozës, kur i vlerësoj si të goditura e origjinale, i përpunoj këto ide gjatë në mendje, pastaj krijoj një skenar pune në kokë të cilin filloj ta jetësoj ngadalë. Detajet, ndërkohë, mund të ndryshojnë, por thelbi i idesë mbetet i njëjti.
Poezia është më ndryshe, vjen ashtu siç i teket. E shkurtë, e gjatë, lajkatare, e vrullshme, fanatike, fine, e re, e plakur etj, etj, pra me “strategjinë vetjake”.
Fjala vjen, te romani “Lavdi Marrëzive” e kam bërë një eksperiment i cili është vlerësuar pozitivisht nga kritikët dhe lexuesit: narratore e gjithëdijshme është një grua, një shkrimtare. Medoemos që jam ndikuar nga “aventurat” dhe eksperimentet e vazhdueshme të autorëve të tjerë. Ky është një mësim elementar që duhet ta përvetësosh që në hapat e parë të karrierës letrare: letërsia e ka një ligj, sipas së cilit, ajo nuk i nënshtrohet asnjë ligji.
Libri i fundit, është shkruar gjatë një programi rezidence letrare. Shumë shkrimtarë me famë rrëfejnë se disa nga librat e tyre më të suksesshëm janë shkruar gjatë këtyre programeve. Sa të rëndësishme i shihni të tilla programe dhe a janë të përshtatshme për çdo lloj shkrimtari, a do ua kishit këshilluar shkrimtarëve të rinj?
REVISTA HESHTJE
Udhëtimet, njohja me kultura të reja, njerëz të rinj, etj, e ndihmon shkrimtarin të shikojë nga një perspektivë tjetër objektivin e vetë. Për të qenë sa më origjinal, ai duhet ta ndryshojë vazhdimisht këndin e vrojtimit.
Mbaj mend Umberto Econ të ketë thënë se për ta shkruar një pjesë të romanit “Emri i Trëndafilit”, kishte numëruar shkallët e një abacie, a kishe. Qëllimi është që ideja e tekstit duhet të bartet te lexuesi në formën më besnike, dekoruar me zbukurime stilistike të nevojshme. Pra, këtu, nuk ka rëndësi fryma, zhanri, a lloji i diskursit letrar që e kultivon shkrimtari te një vepër, misioni i bartjes besnike të idesë, duhet të përfundoj me sukses.

Klasike, moderne, realiste, surreale etj, idetë e veprave të shkrimtarëve të mëdhenj, na bindin në një mënyrë a në një tjetër, pikërisht duke qenë se barten tek ne me bindje të lartë…
Kjo nuk do të thotë se nuk mund të shkruajmë për Stambollin po qe se nuk e kemi vizituar atë, por argumenti logjik thotë se: do të jemi më bindës, po qe se shkruajmë pas një vizite të këtij qyteti të madh.
Shkrimtari duhet të udhëtojë vazhdimisht, në qoftë se jo fizikisht, të paktën shpirtërisht.
Çfarë do kishit sugjeruar tjetër për kandidatët shkrimtarë, apo për shkrimtarët e rinj?
REVISTA HESHTJE
Asgjë! Në të vërtetë asgjë konkrete! Leximi, udhëtimi siç e thamë më sipër, meditimi etj, janë vetëm disa parakushte të cilat mund të ndikojnë në zgjerimin e horizontit të shkrimtarit, por fundi i fundit, ato jo-domosdoshmërisht bëhen pjesë e veprës, pastaj secili e ndjek rrugën e vetë.
Qeniet tona kanë forma të ndryshme, ndaj edhe veshjet. Askujt nuk mund t’ia sugjeroj rrobat e qenies sime, ngaqë mund të mos i bien për trupi.
Mjafton ta duash shkrimin si formë e të shprehurit dhe ta ndjesh brenda teje at shkëndijën e cila të thotë: ec përpara, je i veçantë!
Dhe të jeni sigurt: kjo do “t’ju marr në qafë”!
Çfarë përfaqëson për ju Heshtja si nocion?
REVISTA HESHTJE
Pyetje interesante. Më asocon në qetësinë, pastaj në urtinë dhe meditimin. Heshtja është një mekanizëm i domosdoshëm përpara “stuhisë”. Të heshtësh ndonjëherë do të thotë të presësh.
Herë, herë, heshtja ngjallë frikë, vetmi e dobësi… por mua më vjen si nocion më pranë qetësisë e urtisë. Kushedi…
Veç është një fjalë poetike.