| Nga DRITAN SKËNDERI |
O përrua që gufon vetmi
A shpirtin tim e zgjodhe shtrat
Rrjedhën në damarët e mi
A shndërrohet n’moçal ky shtat
Ju furtunat e gjithë dynjasë
Që po fryeni me tërbim
M’mbushët rërë të saharasë
Ashtu t’djegur gjoksin tim
Retë e zeza me shi plot
N’kokën time po gjëmojnë
Sytë m’i vërshojnë me lot
Rrufe kujtimesh m’vetëtojnë
Ju vullkanet që llavë shpërtheni
N’zemrën time krater batë
Venët magma m’i rrëmbeni
Një pikë gjaku t’më rrjedhë s’latë
Ç’të frymoj, tymnajë e pluhur
Mushkëritë shkrumb e hi
Pa ty n’kopshte bredh i humbur
Pa ty vdekjen kam gjallëri