| Nga NADA DOSTI |
Ime motër është Lule Mos Më Prek.
Motra ime quhet “Nalt’Madhnia e Saj”. Të paktën kështu e thërrasin të gjithë. Jo vetëm në familje por edhe në fis. Origjinën e kemi nga fisi Amazoneve. Gratë e fisit tim dalin për gjah. Nuk kursejnë asgjë që iu del përpara. Madje as drenushat në sexhadet e murit, apo sorkadhet në batanijet e ngrohta. Ato vozisin, mbjellin, korrin të mbjellat, presin drru, bëjnë pazarin, qepin, thurin, zbukurojnë, dashurojnë, lindin dhe rrisin fëmijë. I kanë të gjitha superfuqitë e mundshme për të mbijetuar. Madje për të jetuar si heroina. Amazonet dora vetë. Po burrat?
Burrat nën hije ..
lozin kuvendojnë..
Pjesëtarët e tjerë të familjes sonë janë ime më, motra e saj, e ëma e tyre, e ëma të ëmës së tyre, tezet dhe hallatet e tyre si dhe vajzat e tezave dhe të hallave.
Motra ime e madhe, edhe pse është më e vogla e shtëpisë është gjithashtu kryefamiljarja. Pra mbretëresha, aka komandantja.. Ditënata e saj zgjat tridhjetë orë ndërsa sahati i rrin gjithmonë dymbëdhjetë. Dhjetë orë gjumë, dhjetë orë para pasqyrës dhe orët e mbetura televizor, shkrim në ditar dhe sidomos komanda. Sporti i saj i preferuar është të ma nxijë mua jetën. Mos të më lërë rehat është hobi i saj gjithashtu “Sillma pak telekomandën” Shoh rreth e rrotull duke kërkuar për të. Ajo tregon me gisht tek tavolina përballë saj tridhjetë centimetra larg. “Sille atë, sille këtë, bë këtë e bë atë” e kështu kërkesat e saja, aka komandat, nuk mbarojnë kurrë.
Nëse dhoma është rrëmujë, nëse gjërat tona nuk janë në vend, është gjithmonë faji im. Nëse ime motër bërtet ose qan, prap është faji im. Edhe kur s’kam faj, prap është faji im sepse nuk e kam qetësuar dhe ngushulluar. Si një motër e madhe që jam. Edhe pse në fakt jam më e vogla. Askush nuk ka pritshmëri prej Nalt’Madhnisë. Mos o Zot t’i thyhet ndonjë thonj. Thonjtë e saj duhet të jenë gjithmonë të kuruar. Ajo urdhëron unë bindem. Ajo komandon, unë zbatoj. Ajo prish, unë ndreq. Ajo thyen, unë ngjis. Ajo gris unë qep.
Kurse unë, unë s’mund të mërzitem, s’mund të qaj, s’mund të ankohem.
“Hë tani, mos ja nis dhe ti, boll durojmë atë, edhe ty të kemi mangët.” më qortojnë gratë amazonase.
Ime motër shpenzon sa për ne të dyja bashkë. Kërkon para xhepi gjithashtu sa për ne të dyja bashkë. Ndërsa unë mbetem duar bosh, xhepat bosh. Unë nuk kërkoj kurrë, andaj dhe nuk marr kurrë. Mjafton mos të jem një barrë më shumë për Amazonet, se bollë barra mbi shpinë kanë, pa nuk dua gjë tjetër. Në fakt dua të zhdukem. T’ia mbath nga punët dhe përgjegjësitë prej motrës madhe si motra më e vogël që jam. Të fshihem në një nga dhomat e fundit të shtëpisë. Larg urdhrave dhe komandave. Larg shikimit të krejtve. Ah, të kisha një shkop magjik e të bëhesha e padukshme.
Nalt Madhnia e Saj, aka Lulja Mos Më Prek, arrin çdo gjë më një kërcitje të gishtërinjëve. Ndonjëherë duhet dhe të bërtasë dhe të përplasë kur nuk i shkon koka vetë. Lot dhe rënkime për sa kohë të rriturit janë aty, e kur ata largohen, ajo fshin lotët dhe më shkel syrin. Ime motër duhej të ishte bërë aktore, me gjithë atë talent që ka. Jo unë.
Një ditë në shkollë, regjizori teatrit më sheh me sy të ngulitur në skenë. E mahnitur nga shfaqja që po luhej. “A dëshiron të ngjitesh dhe ti aty?”, më pyet. “Eja nesër në prova!”
Gjatë provave përsërisim skaletën me qindra herë. Pas perdes së trrashë fshihej një prapaskenë e errët. Vetëm një hap na ndante nga drita e reflektorëve gjigantë. Të gjithë e hedhin atë hap përveç meje. Kontrolloj në xhepat bosh për shkopin magjik. Ia mbath me të katërta për t’u strukur tek dhoma e fundit. Larg shikimit të krejtve.
“Sa vajzë e urtë” më thotë dentistja. “Nuk kam parë fëmijë më të qëtë se ty.”
Qingji urtë pi dy nëna,
por nuk e dini më të renë:
ime motër piu gjithë kopenë.