DREJTSHKRIMI I FJALËVE TË HUAJA

Në gjuhën shqipe ka shumë fjalë me prejardhje nga gjuhë të tjera, si nga latinishtja, greqishtja, turqishtja, por edhe nga anglishtja, frëngjishtja e italishtja. Ato kanë hyrë në kohë të ndryshme, por janë përshtatur në gjuhën shqipe. Për drejtshkrimin e tyre duhet të kemi parasysh disa rregulla:

  1. Fjalët që kanë në trupin e tyre -ia-,-ie-,-io-,-iu- shkruhen me -ia-,-ie,-io,-iu dhe jo me -ja-,-je,-jo-,-ju-:
    -aziatik (jo azjatik), diagonale, financiar, material, special etj.
    -bankier (jo bankjer), higjienë, karrierë, minierë, tastierë etj.
    -aksiomë (jo aksjomë), aviacion, bibliotekë, biologji, radio etj.
    -herbarium (jo herbarjum), kalium, natrium, stadium etj.
  2. Fjalët që vijnë nga greqishtja e vjetër dhe në këtë gjuhë kanë “y”, në shqip shkruhen me “i”:
    gjimnastikë (jo gjymnastikë), gjimnaz (jo gjymnaz), hidrogjen (jo hydrogjen), himn (jo hymn), simbol (jo symbol), sintezë (jo syntezë) etj.
  3. Fjalët me burim nga latinishtja ose greqishtja, që në shqip kanë “c” të ndjekur nga zanorja “e” ose “i” shkruhen me “c” dhe jo me “ç” ose me “s”:
    central (jo çentral), certifikatë (jo çertifikatë), koncesion (jo konçesion), procedoj (jo proçedoj), licensë (jo liçencë), deficit (jo defiçit), agjenci (jo agjensi), elektricist (jo elektriçist), publicist (jo publiçist), proces (jo proçes), recensoj (jo reçensoj) etj.
  4. Shkruhen me “ks” dhe jo me “kc” fjalët e huaja që në shqipe kanë “ks” të ndjekur nga “io”:
    aksion (jo akcion), funksion (jo funkcion), sanksion (jo sankcion), fraksion (jo frakcion), leksion (jo lekcion), infeksion (jo infekcion).
  5. Shkruhen me “h” edhe këto fjalë:
    halucinacion (jo alucinacion), heterogjen (jo eterogjen), homogjen (jo omogjen) etj.

~Prof. Eroll Sejdiu