| Nga DASHURIJE BAJRAMI |
Ah, sa do të doja të më përmendje në rreshta,
të të mos kishte mashtruar ajo falco buzëqeshja,
lotët në brendësi ishin fshehur si në sirtar,
rrjedhnin si vullkane e së përvëlueses saharë!
Më kishe emërtuar që moti aktore,
dhe atë profesioniste, e jo amatore,
edhe pse ndonjëherë as që e kisha provuar
ngase rolet vetes qëmoti ia kisha ndaluar!
Me gjakun e damarëve i përshkruaja gjendjet,
në brendësinë e shpirtit thellë i ndjeja dhembjet,
në rrahjet e zemrës të bartja me vete,
si krijesa më e vlefshmja e kësaj jete!
Shoh se perdet e skenës veç sa u larguan,
sikur shumë gjëra tani m’u qartësuan
një shfaqje që sapo përfundoi,
ku si aktor i fortë prania jote qëndroi!
Edhe pse i bëja vetes pyetje: si munde dot?
Përgjigjen s’e gjeja mundohesha kot,
andaj sot ta them që s’u fundosa në një det,
ku shpirti ndjeu dashuri pa qenë skenë në jetë!