| Nga NADA DOSTI |
Një ditë prej ditësh ime më vendosi të ikte nga shtëpia. Këtë lajm na e dha një vit para. Vendimin e kishte marrë dhe s’kishte njeri që t’ia kthente mendjen. Por ne prap nuk e besonim. Jo pa e parë me sytë tanë. Mendonim se ishte një vendim aty për aty, ndonjë kapriço i momentit.. As biletë nuk kishte blerë, as nuk kishte bërë prenotim hoteli, madje as nuk kishte tërhequr para për me vete. Dhe ne vazhdonim mos ta besonim. Nuk donim ta besonim. Thellë thellë, ky vendimi i saj dukej shumë absurd. Ajo ishte e fortë dhe e qeshur. E donte jetën, këngën, vallet, të qeshurat, bisedat. I donte udhëtimet, ushqimet, mbrëmjet buzëdeti, mëngjeset nën pisha. Çdo ditë, madje dhe të dielave, na zgjonte herët. Zgjidhte ndonjë kasetë, ose ndizte radion dhe çonte zërin në kupë të qëllit. Jeta ishte tepër e shkurtër për t’u kaluar në gjumë. Sidomos të dielave. Valixhen nisi ta përgatisë një vit para. Në fillim mblodhi të gjitha dhimbjet dhe plagët. Më pas paketoi shumicën e kujtimeve, dhe të gjitha i paloi mirë e mirë. Nuk mori stoli me vete, as rrobat e shtrejnta, lërë pastaj produktet kozmetike. Papritmas, vendosi që t’i kalonte ditët para nisjes në një dhomë senatorjumi. Dhe jo me ne, familjen e saj. Një muaj para se të ikte, doktori na tha se nuk ia mbushi dot mendjen për të hequr dorë nga vendimi i saj. Edhe ai vetë ishte përpjekur vazhdimisht por më kot. Andaj, vendimi më i mirë ishte qe ta merrnim në shtëpi. Ditët e fundit duhej patjetër t’i kalonte pranë familjes. Teksa përgatiste të merrte gjërat me vete, që nuk ishin shumëçka, e mbylli zinxhirin e valixhes dhe vendosi të heshtte. Heshtja e shoqëronte ditë e natë. Nisi të na i harronte dhe emrat ende pa ikur. Nisi të mos buzëqeshte më. Nuk dëgjonte më as këngë, as vetë nuk këndonte dhe nuk ia marrte më valles. Nisi të flinte pa pushim. Orar pa orar. Ditë e natë, por sidomos të dielave. Nuk çohej më të na gatuante. Shtëpija nisi të merrte pluhura. Gjilpëra makinës qepjes me të cilën arnonte të gjitha hallet e tona, nisi të ndryshkej. Kokëfortësia e saj shkoi deri aty sa vendosi mos të na thoshte as lamtumirë. Në vend që të ndahej tek tek me secilin prej nesh, vendosi të ikte pa na thënë asnjë fjalë. Pa lënë asnjë amanet. Iku bashkë me heshtjen e saj.
***
Dhe unë që kisha ardhur në këtë botë nëntë muaj pa dy, se mezi prisja ta shihja! Kurse ajo iku pa një lamtumirë. Kur unë kisha vendosur të vija para kohe duke i përmbysur të gjitha planet, me duart e saja më kishte futur në një kuti të vogël për t’më ruajtur. Kutia ishte prej xhami, e ngrohtë si foleza e dallëndyshes tek ballkoni shtëpisë së gjyshërve. Në kuti kalonin fije peri që lidheshin me disa makineri të cilat më mbanin në jetë.. Mamia paskësh thënë se nuk do e kisha të gjatë. Por unë i kisha ngjarë ime mëje. Ose të paktën ashtu mendoja. Edhe pse shtatanike, kisha vendosur të mbijetoja. Pse ajo tani po dorëzohej? Vëtë më mësoi gjithë jetën mos të hiqja dorë! Kurse ajo tani po ia mbathte pa kthim pas. Ndërsa mua tashmë, nuk më mbeti gjë tjetër vetëm se ta vendosja në një kuti të errët. Jo prej xhami por prej druri. Shtatë pashë nëndhê
Ajo me bukë, unë me gur.