NINULLË DANUBIANE

| Nga NADA DOSTI |

Kurse unë, kthehem drejt Pest-it

Rreth prej gjaku ky Pest-i

Të vdekurit brenda rrathëve të ndritshme

I bëjnë të flasin edhe Sfinksat

Për fëmijët fjalë e shenjtë

Fjala është arma më e fuqishme

Një qytet të tërë dhe njeriun e mban të gjallë

Sezai Karakoç

Zbresim në një fushë livande ku lule dhe gjethe hedhin valle dorë për dore. E pash mirë se si tek sporteli pasaportave, njëri prej udhëtarëve i zgjati policit një tufë me letra të gjelbra. Fshehur ndër dokumenta. Më erdhi turp nga vetja se si ky gjest më ngjalli nostalgji mëmëdheu. Në vendin ku tashmë jetoj prej vitesh nuk këmbehen kurrë të tilla dhurata të fshehta.

Mjaftoi një kafshatë Kürtöskalács për të më çuar vite kohë mbrapsht. Kafshata shkrihet në gojë si petullat e gjyshes, të ngjeshura në sheqer, të dielave në mëngjes.

Në majë të kodrës qëndron stoike një grua me fustan të gjatë. Me duart lart drejt qiellit mban një degë palme. Gruaja quhet Erzsebet, por Statuja e Lirisë i thonë. Diku më tutje bien disa këmbana. Po për kë po bien vallë? Më shumë për ata që shëtisin të lirë se sa ata që u internuan në Labirintin e vampirit të famshëm. Vetë jeta këtu është një gjëegjëzë. Treguar nga një qënie me kokën e një gruaje, këmbët e një luani dhe krahët e një shqiponje. E bërë me dorë, ndoshta prej allçie ose prej porcelani. Qëndron aty, në hyrje të qytetit shumë pranë lumit. Vëllau vrau vëllaun dhe ia hodhi trupin mu në këtë lum. Edhe në vendin tim vëllezërit vriten mes njëri tjetrit. Krimi i parë që e nxiu këtë botë që në krye të herës. Ky lum e ndan qytetin në dy botë të ndryshme. Në botën këndej urës një tren i vockël ngjyrë sari ecën mbi shina dhe përshkruan të gjithë qytetin pa u lodhur. Në botën përtej urës ka gjallëri: disa ngasin biçikleta, disa ulen në urë dhe presin perëndimin kurse disa të tjerë hidhen në një anije të vogël për të përshkruar Danubin këmbë e krye. Ne ecim me këmbë në tokë duke i përshkruar të dyja botët në një natë të vetme. Janë gjithmonë të ftohta netët në qytet me lum dhe liqen. Dikush e prishi qetësinë e natës duke lëshuar egërsira prej goje të cilat kundërmonin era pije. E flaku një shishe mu tek këmbët tona. Grimcat e qelqta i mblodhëm me duar dhe i flakëm përtej urës. Që mos të shkelnin në to kalimtarë të tjerë pas nesh!Për çudi as nuk na prenë as nuk na shpuan. Kilikosën gishtërinjtë tanë jo sikur të ishin qelq por ndonjë tjetër send i lëmuar. Duhej t’i kishim kapërcyer në fakt, në vend që të kërruseshim për t’i mbledhur një nga një. Grimcë më grimcë. Po t’i kishim pasur nënat tona aty pranë me siguri s’do na e kishin lejuar. Por gjenerata jonë jemi të pashpresë: do mbetemi gjithmonë fëmijë të pabindshëm. Ndërsa nënat këtu, iu këndojnë foshnjave teksa i vendosin në shporta të vogla prej kallishteje dhe i lëshojnë të lëkunden në valët e lumit:

“Fli moj bijë fli, ëndrra të ëmbla paç

me yje të ndritshme në daç

Mbi një varkë të vockël lëkundu nëpër Danub

Fli moj bijë fli,

Për zanat ëndërro

e qetë luaj me to

Mbi një varkë të vockël lëkundu nëpër Danub”