| Nga HYRË FAZLIJA |
Sa pak duhet të jetë,
kur flokët të përbijë mes gishtash
si rrobat kur heq nga lavjerrësja?
–
Sa pak duhet të jetë,
kur në ballë të lexoj ngadalë
pasionin e çthurur në tejnatë?
–
Sa pak duhet të jetë,
kur mbi sy të t’mbijë
ëndrra vjeshtore
për të çelur në mars?
Sa pak duhet të jetë,
–
kur mes dhëmbësh
nxjerr zjarrin
që era e dërgon mes frymësh?
–
Sa pak duhet të jetë,
kur të kërcasim gishtërinjtë
dhe me krismën e tyre
të shpojmë qiellin?
–
Prit, të të prek pak?
Kam humbur mes largësive…
Më gjej!