SOT, FATKEQËSISHT KEMI MË SHUMË BOTIME SE LEXUES

Shkëlzen Halimi ka mbaruar studimet në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Shkup. Ai është autori i veprave: Ujem dashurie (poezi), Qeshje pa zë (poezi), Beti blu në Bit Pazar (poezi), Rruga kobër (poezi), Lule në shkretëtirë (poezi), Portret pa fytyrë (poezi), Stinë pa emër (poezi), Vdekja është këtupari (poezi), Tingujt e hejbeve të vogla (poezi), Muzeu i pritjes (poezi) Agshol i grisur (tregime), Vdekja e Vincentit (tregime), Mona Liza (tregime), Kthimi (roman), Lulet e mërzisë (dramë), Stacioni (dramë) si dhe libri më i fundit “A filloi shfaqja”. Poezitë dhe prozat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja dhe janë përfshirë në disa antologji, ndërkaq dramat e tij janë inskenuar në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Prizren etj. Për lexuesit e HESHTJES me të bisedojmë për shumë çështje që ndërlidhen me letërsinë.

Për një lexues që ende nuk i ka rënë në dorë ndonjë vepër e autorit Shkëlzen Halimi, cilin libër do ua kishit sugjeruar që t’ia nisnin si të parë?
REVISTA HESHTJE

Një pjesë e librave të mi vështirë se gjinden më. E di se janë në Bibliotekën Universitare në Shkup dhe në atë të Prishtinës. Edhe unë kam vetëm nga një ekzemplar. Librat e viteve të fundit mund të gjinden lehtësisht. Çfarë do të kisha sugjeruar! Romanin “Kthimi”, sepse ka një përmbajtje interesante për të mos thënë të çuditshme. Pastaj dramat, vëllimin me tregime “Mona Liza”…Të interesuarit mund t’Ju drejtohen juve (HESHTJES), por edhe mua në profilin tim (FB) dhe u siguroj ekzemplarë nga këto libra, sepse fatkeqësisht në Shkup nuk kemi librari.

Gjatë gjithë karrierës suaj si shkrimtar e keni dëshmuar veten në poezi, prozë e publicistikë gjithashtu dhe si dramaturg, por cili është pasioni juaj i vërtetë nëse do duhej të veçonit njërin prej tyre?

REVISTA HESHTJE

Hapat e para ishin ca belbëzime poetike. Pra, kisha shkruar disa vargje, të cilat i mbaja për vete. Pastaj u sprovova edhe në prozë, publicistikë e dramë. Natyrisht, përvoja e bën të veten, aq më tepër nëse je këmbëngulës të depërtosh në thellësitë e imagjinatës, në një botë që është magjike, ku ekziston vetëm shpirtërorja. Poezia ka magjinë e vet, por proza është më komplekse dhe më e popullarizuar, së këndejmë edhe më e lexuar. E kam shumë vështirë të përcaktohem mes poezisë dhe prozës. Mendoj se janë dy bota paralele, me të cilat bashkëjetoj në paqe të përhershme.

A do ua kishit këshilluar shkrimtarëve të rinj që të eksperimentojnë veten në zhanre të ndryshme, apo shkrimtaria e tillë duhet të vijë si një proces që vjen në mënyrë të natyrshme?

REVISTA HESHTJE

Të eksperimentosh, do të thotë të arrish te ndonjë qëllim, te ndonjë rezultat ose irealen ta shndërrosh në reale. Nuk është keq që shkrimtarët e rinj të eksperimentojnë, thjeshtë për ta zbuluar vetveten, se ku mund të mbështeten, se cili zhanër në fakt u fle në shpirt. Por, ky eksperimentim nuk duhet të zgjasë shumë, sepse mund të ndodhë që të eksperimentojnë terë jetën, por pa arritur te synimi. Duhet pasur kujdes kohën, e cila ikën më shpejtë se ç’mendojmë në realitet. Nuk është në rregull që gjithë jetën të ngelin shkrimtarë të rinj.

Kaq shumë vepra të botuara, a jeni të penduar për ndonjërën prej tyre (ose në mos penduar të paktën të keni pishmane të llojit “ah sikur ta kisha botuar më vonë”)?

REVISTA HESHTJE

Njoh shumë krijues që janë penduar me botimet në fillimet e tyre letrare. Disa ato vepra nuk i përmendin në biografitë e tyre, i heshtin, thjeshtë me qëllim që t’i mbulojë harresa (gjë që është e pamundur). Disa në vitet e më vonshme i kanë ribotuar, por me ndryshime të shumta. Natyrisht, duhet pasur parasysh edhe rrethanat e kohës kur janë shkruar ato vepra. Janë të shumtë krijues që për shkaqe të natyrave të ndryshme, u detyruan t’i këndojnë partisë komuniste, Titos, Enverit. Dhe për ta duhet pasur mirëkuptim, sepse mund ta marrim me mend se si ishte ajo kohë të cilën ata e jetuan. Jam i bindur se ata shpirtërisht asnjëherë nuk kanë qenë të qetë. Nuk jam i penduar, ndonëse gjithmonë më përcjell një – sikur…!

Libri i fundit “A filloi shfaqja!” është një dramë për dramën njerëzore, i shkruar gjatë pandemisë dhe me tematikë pikërisht këtë lloj drame të para disa viteve. Cili ka qenë qëllimi juaj për të shkruar një vepër të tillë? A keni hezituar ndonjëherë për ta shkruar ose publikuar duke marrë parasysh faktin që lexuesit mund të stepen nga leximi veprës për shkak se flet për një periudhë që të gjithë ne duam ta harrojmë dhe ta lëmë pas, apo e keni parë si të domosdoshme dhe si kontirbut ndaj letërsisë bashkëkohore?

REVISTA HESHTJE

Pandemia, krahas efekteve negative, pati diçka edhe pozitive. E frenoi dinamikën e jetës deri në ato momente, e cila dinamikë thjeshtë na kishte tjetërsuar ose thënë ndryshe na kishte larguar nga vetvetja. Kur u mbyllëm, kuptuam se sa larg kishim shkuar, kuptuam se kishim familje, se na kishte munguar dashurua, ngrohtësia shpirtërore. Filluam sërish të mendojmë për të afërmit, filluam ta kuptojmë esencën e jetës. Na u imponuan shumë pyetje për jetën. Duke i pasur parasysh të gjitha këto, nuk ishte vështirë të shkruhet drama “A filloi shfaqja”, e cila ka dy personazhe, grua dhe burrë, të cilët nuk arrijnë të merren vesh për disa çështje jetike. Mbesa, jeta ndonjëherë është skenë e madhe teatri dhe ne protagonistë, por që nuk e dimë a jemi në publik apo në skenë.

Në tregimet tuaja ka diçka që është magjike, përkatësisht një realizëm magjik A do të thotë kjo se e shihni letërsinë më shumë si një mision se sa profesion (zanat, art..)?

REVISTA HESHTJE

Të shkruarit në fakt është një lloj zanati. Nëse shkruan letërsi, atëherë më shumë ka të bëjë me misionin se sa me profesionin. Pra letërsinë, sidomos në kushtet e tanishme tona, duhet kuptuar si mision dhe jo si profesion. Sepse, pa pasur një profesion të caktuar, me letërsi (në aspektin material) nuk mund të jetohet. Të paktë janë ata që ekzistencën e sigurojnë nëpërmjet letërsisë. Nuk besoj se në hapësirën shqiptare (përjashtim bënë Kadare, ndoshta edhe ndonjë tjetër) shkrimtari mund të sigurojë ekzistencën në saje të librave. Kësaj gjendje i ka kontribuar edhe numri jashtëzakonisht i madh i botimeve, sa që sot, fatkeqësisht me shumë kemi botime se lexues, përkatësisht më shumë kemi shkrimtarë se sa lexues. Kur t’i kemi parasysh të gjitha këto elemente, atëherë humb kuptimin edhe misioni, edhe profesioni.

A pajtoheni dhe ju, si shumë shkrimtarë të vjetër dhe me përvojë, që shkrimtarët e rinj nuk duhet të nxitohen për të botuar, por të bëjnë durim deri afër të dyzetave, ose t’i lënë amanet veprat e tyre për post mortum?

REVISTA HESHTJE

Mosha e shkrimtarët nuk është element përcaktues. Artur Rembo në moshën 24 vjeçare i dha fund të shkruarit. Migjeni jetoi vetëm 27 vjet, por la një vepër brilante. E gjitha ka të bëjë me punën dhe me leximin. Natyrisht, nuk duhet shpejtuar që si e si vepra të botohet, sepse botimi është faza përfundimtare, mbase dhe faza më e lehtë. Vepra jo vetëm se duhet të shkruhet, por edhe të rishkruhet, një herë, dy herë, më shumë herë, për të arritur deri te ndjenja e sigurisë se vepra është e gatshme për të komunikuar me lexuesin.

Sipas jush, çfarë privilegjesh kanë sot shkrimtarët e rinj për të cilat nuk janë të vetëdijshëm ose nuk i vlerësojnë mjaftueshëm?

REVISTA HESHTJE

Në shoqërinë shqiptare sot më së paku vlerësohen shkrimtarët e mirëfilltë, ndaj dhe nuk mund të flasim as për ndonjë respekt, e as për ndonjë privilegj të atyre që janë të rinj. Duhet të bëjnë çmos që të depërtojnë vetë. Fatkeqësisht u mungon edhe përkrahja. Por, nuk duhen të dorëzohen, përkundrazi duhet vetë të motivohen, të punojnë dhe të lexojnë sa më shumë. Me kohë do të vërejnë se dinë ta bëjnë dallimin mes asaj që është letërsi e mirë dhe letërsi e keqe. Duhet pasur kujdes, sepse sot në qarqet tona letrare, ka edhe shumë abuzues e mashtrues që janë mjeshtër për të futur të rinjtë në rrugët pa dalje ose siç thuhet ndryshe në rrugët qorre. Shpresoj se në ndërkohë do të hapen punëtori krijuese, të cilat gjithsesi do t’u ndihmojnë shkrimtarëve të rinj të përballen më lehtë me sfidat në rrugën e tyre të letërsisë. Mekanizma tjera në ka, sepse akti i shkrimit është çështje individuale dhe individualisht duhet ecur derisa të dalin në anën tjetër të bregut.

Çfarë do kishit sugjeruar tjetër për kandidatët shkrimtarë, apo për shkrimtarët e rinj?

REVISTA HESHTJE

Duhet të lexojnë vazhdimisht, duhet ta njohin gjuhën shqipe, gramatikën, duhet të kenë njohur për trashëgiminë tonë kulturore, për folklorin e pasur, duhet ta mësojnë historinë e letërsisë shqiptare që nga zanafilla e deri në ditët e sotme, duhet të kenë sado pak njohuri për letërsinë botërore, pse jo duhet të mësojnë edhe pak nga psikologjia. Ne kemi pasur e kemi poetë të shkëlqyer, prozatorë, dramaturgë, kritikë, prej të cilëve mund të mësojnë shumë. Pastaj, ata do ta kenë më lehtë të zhyten dhe të notojnë në ujërat e letërsisë.

Si e shihni ju “HESHTJEN” si koncept?

REVISTA HESHTJE

HESHTJE si revistë është në fillim dhe nga numri në numër duhet të mbindërtohet, duke u pasuruar me përmbajtje të re. Fillimi premton. Natyrisht, HESHTJE nuk duhet të heshtë, përkundrazi duhet të flasë me punën e saj.