| Nga LIRIDON HYSENI |
Jam këtu, në mes stinëve
Qielli s’ndalon
Shtyhem me erërat e fuqishme
Por diçka, seç mungon?!
Drita kohën pezullon
Terrin e shtang
Jam këtu, në mes viteve
Por diçka, seç ngushëllon?!
Bërtas për në amshim
Përjetësia hesht’
Kurthohem në mës rimave
Por diçka, seç cungon?!
Jam këtu, në mes shpirtrave
Gjaku ngrinë
Ngurtësohet lëkura e mishi
Por diçka, seç nxiton?!
Jam këtu, në luftë i ngecur
Ngrirë në llogari
Ia harrova librit epilogun
Por diçka, seç nuk harron?!
Jam këtu, mes jush por larg jush
Trupi im gur zjarri
Shpirti vjerrur luhatet në mëshirë
Lutuni, por mos më qani tek varri!
Por diçka ende, seç shpreson?!
Pushon, apo nuk pushon?