LULJA E BISHES

| Nga LIRIDON HYSENI |

Shkrimet janë ëndërra,
Fjalët janë përjetime!
Kështu qortoj mendjen,
Kur zemra rrakát në zemërime!

Në dysh i shkoqitur
Si qënie e dyzuar,
Mes zemrës e mendjes
Luhatem i hutuar,

Pa krahë që të ikem
Me rima në fluturim
Nëpër sarajet e ngrohta
T’a përqafoj qetësinë!

Jo nuk munda,
Shkrimet s’i lë dot,
Aq sa më vrasin, aq i kërkoj,
Aq sa godasin, aq m’lumturojnë,

Shenjë e njerëzisë
Frika thuhet të jetë,
Paradoks i dobësisë
Dhe guximit t’vobektë

Jam ba I huaj në qënien time
Tek kur shkruaj për aterime,
Koherenca çukát e qoroditur
Si lulja e bishës rri e mbyllur…