| Nga HAMDI NUHIJU |
Xha Tefikut i ka vdekur gruaja në nëntor të vitit 2000! Para këtij kujtimi tragjik, ai kujdesej për të si për një fëmijë. Gruaja e tij, nënë Hanëmja, gjashtëmbëdhjetë vite ishte e palëvizhme. As nuk mund të hante dhe pinte vet, e as ti kryente nevojat e saja personale. Për çdo gjë kujdesej Xha Tefiku. Ia lante rrobat, i jepet me hangër e me pi. Njëherë gaboi me supën e cila desh ia djegi buzët nënë Hanëmes.
-Mi djege buzët o dreq, në nervoz reagoi nënë Hanëmja. Por, Xha Tefiku ishte i hareshëm dhe secilën situatë të sikletshme e shndërronte në humor.
-Mos më thirr në emër moj grua, tha Xha Tefiku. Qeshi nënë Hanëmja, me të qeshi edhe Xha Tefiku. Zoti nuk i kishte dhënë fëmijë, porse sëmundja e nënë Hanëmes e fuste në mendime Xha Tefikun. Gjithmonë kur mërzitej kujtonte Pejgamberin Ejub. Sa durimtar që ishte në sprova!
Xha Tefiku u bë i zot në punët e shtëpisë, porse ai ishte jashtëzakonisht zemërgjerë me mysafirët. Gëzohej si fëmijë kur vinte dikush. Edhe pse kishte një shtëpi të vjetër gati duke u rrënuar, zemra dhe mendja e tij gjithmonë ishte e gatshme për mysafir. Si rezultat i mirësjelljes së tij, nuk kishte ngelur njeri në lagje që nuk e kishte vizituar së paku njëherë në muaj Xha Tefikun.
Zinte kafenë turke me mjeshtri, vendoste llokume, shërbente të rinj e të moshuar pa përtesë. Dhe dëgjonte lloj-lloj rrëfimi. Kur rrëfimet ishin mërzi të njerëzve ai mërzitej bashkë me to, ndërsa kur rrëfimi kërkonte gëzim, ai shfaqte gëzimin e tij pandalim.
Vitet kalonin, koha ecte dhe një ditë, miqtë e lagjes që e njihnin mirë Xha Tefikun kishin vendosur ti bëjnë një të mirë. Njëri prej tyre jep tokën falas, tjetri kujdeset për punët ndërtimore dhe disa miq tjerë mblidhen tok dhe blenë materialin ndërtimor. Fillojnë në heshtje ta zbatojnë projektin e tyre, ndërtimin e një shtëpie të re për Xha Tefikun.
Në përvjetorin e vdekjes së nënë Hanëmes, miqtë e thërrasin Xha Tefikun për kafe. Ai bëhet gati dhe del prej shtëpie. Habitet me shtëpinë e re në lagje të cilës nuk ia dinte pronarin, po nuk bënë zë. Futet brenda dhe sheh miqtë e lagjes ishin mbledhur tok, të veshur bukur e në mënyrë festive duke e pritur Xha Tefikun. Habitet.
Në habi pyet: Sa shtëpi e bukur. E kujt është?
-E jotja Xha Tefik, përgjigjen njëzëri miqtë e tij të lagjes. Ta kemi bërë dhuratë në përvjetorin e vdekjes së nënë Hanëmes.
Përlotet Xha Tefiku e me të, përloten edhe miqtë e lagjes.