SËNDUKU I GJYSHES

| Nga SEMINE SAKIPI |

Në një ditë të ftohtë nëntori,
Emi nga gjyshja vëmendje kërkoi,
ABCÇD… ia filloi,
e pasi mbaroi, drejt çantës së saj vrapoi!

Me vrull vizatimin gjyshes ia tregoi,
ishte shkronja “E”, që nga ngjyrat xixëlloi!
Entuziazmi i Emit nuk mbaronte,
sepse festa e abetares po afronte!

Gjyshja në heshtje vetëm e vështronte,
por zemra i gufonte, e më vete mendonte
“Ah sikur të kishe gjyshin gjallë”
mbesa e tij e zgjuar shumë do ta krenonte!

Me lot në sy ishte larguar
e drejt dhomës saj kishte vrapuar,
por Emi e vockël u shqetësua,
pse vallë gjyshja u pikëllua?

Nga kureshtja e ndoqi pas,
kur gjyshja me sënduk në duar iu shfaq,
Gjyshe, gjyshe, çfarë po ndodh?
Ç’është ajo që ke në dorë?

Emi e dashur, sot më ke emocionuar,
alfabetin shqip sa bukur e ke shqiptuar,
andaj, afrohu të të tregoj,
shkronjat e bukura shqipe kush i formoi!

Nga sënduku ca fotografi nxori,
dhe dalëngadalë Emit i tregoi,
shikoje këtë vend të bekuar,
“Manastir” i ashtutitulluar!

Çdo shqiptari dashuria i shtohet në zemër,
kur dëgjon për këtë emër!
Ja kjo foto bardhë e zi,
përplot burra nën një çati!

Me kollare e mustaqe,
të renditur një pas një, si shkronjat në vargje!
ca të buzëqeshur e ca të nervozuar,
janë marrë vesh alfabetin shqip për ta njësuar!

Pikërisht në Manastirin e bekuar!
Gjyshe, ç’është njësuar ?
Do të thotë të gjithë burrat kanë punuar,
që populli ta ketë alfabetin një e të barazuar,

Ah, këta burra të shquar,
U kanë dhënë shqiptarëve gjënë më të çmuar,
ku ka më bukur se një alfabet të kesh,
për të cilin shumë krenare gjithmonë të jesh!

Mbaje mend, mbesa ime e artë,
22 Nëntorin si datë të veçantë,
ruaje edhe në shpirtin tënd të artë,
e ruaje me dashuri të zjarrtë!

Po, gjyshe, do ta ruaj, por pa më thuaj,
si quhet ky njeri në këtë fotografi?
Mit’hat Frashëri, moj bijë, me qëndrimin e tij si zotëri,
e këta të tjerët janë shokët e tij!

Kur të rritesh, dua të më premtosh,
se për shqiptarët më shumë do të hulumtosh,
gjuhën shqipe kurrë të mos e harrosh,
dhe leximin kurrë mos ta ndalosh!

Sënduku i gjyshes nuk mbaroi me kaq,
thellë brenda tij një flamur i kuq si gjak,
një shqiponjë e zezë në mes,
flamuri shqiptar, të rrënqeth për besë!

Gjyshja shumë u gëzua,
që flamuri në sënduk u qëllua!
E di ti, Emi im e artë,
se ky flamur ka një festë të veçantë?!

Duro vetëm pak bukuri,
sa ta gjej një fotografi, të një burri efendi,
eh, pikërisht ky njeri, Ismail Qemali, bekoje Perëndi!
Më 28 Nëntor, ai ngriti Flamurin në Vlorë!

Pse, gjyshe, kishte rënë në tokë?
Gjyshja nga e qeshura u shtrie përtokë!
Një fëmije, si t’ia shpjegosh?
Ka ca gjëra, kur të rritesh do t’i mësosh!

Flamurin për ta vlerësuar,
të gjithë njerëzit kështu kanë vepruar,
që atëherë, 28 Nëntorin e kemi festë,
dhe mos e harro se do të më lëndosh për besë!

Gjyshe e dashur, unë të premtoj
se këto dy data kurrë s’do t’i harroj
duke i festuar gjithmonë do t’i kujtoj!

Fytyra e të dyjave u lumturua,
e me përqafim biseda u përfundua!
E për mua sa kënaqësi,
ta dëgjoja këtë bisedë në fshehtësi!