| Nga NADA DOSTI |
Kur erdhe për herë të parë në shtëpinë time nuk i hoqe këpucët. Sa gjest arrogant m’u duk. Pa edukatë! A shkohet në shtëpi të tjerëve tak tak drejt në tapet? Duar bosh erdhe pale. Në fillim u ndjeve pak keq kur prej atij zakonit të poshtër që kemi ne njerëzit e zakonshëm me pritshmëri karshi njerëzve që duam, por pak zgjati. Ne të rëndomtit i shohim nga duart mysafirët sapo kalojnë pragun brenda. Sidomos më të vegjlit e shtëpisë. Por jo unë. E njeh mirë ti krenarinë time. Unë të pash direkte në sy:
– Erdhe më në fund?!
– Erdha! më the
Rrinim, bënim muhabet por ti sytë tek dera i mbaje.
Kuptohemi pa folur unë dhe ti, andaj ashtu me sy të thash:
– Mendja për të ikur të rrin! Nuk je i lumtur këtu me ne?”
Po nga ta dish ti ç’është lumturia. Kurrë s’ke marrë dashni dhe jo vetëm që s’din ta japësh por s’din as si ta marrësh. Ti ke lindur i palumtur dhe ashtu po shkon.
– E din ti më, s’më rrihet shumë në një vend – m’u përgjigje pa thënë asnjë fjalë.
Me t’u mbushur dyzet minuta, dhe jo dyzetë e një, as tridhjetë e nëntë por fiks dyzet befte në këmbë.
– Si? Kaq shpejt? Bëre gjithë atë rrugë për kaq? Më mirë mos kishe ardhur fare..mezi po pret të ikësh..!
– Po prandaj s’i hoqa këpucët, s’e kuptove ti?! Kështu e kam më kollaj të zhdukem nga ajo derë pa iu lënë duke pritur të gjithë tek pragu. Madje mos luani hiç. Dola unë!
Sapo bëra të zgjasë një grusht me thesare më paraprive duke thënë:
– Mos u lodh, lëre se e kam zët të mbaj gjëra! Aman mos më mundo!
Dhe ashtu pa selam e pa kelam, u zhduke vërtetë. Duke lënë pas vetëm gjurmët e këpucëve gjithë baltë dhe tymin e cigares nëpër perde. Kështu je ti, aty ku s’mund të falësh dashuri fal vetëm shkatërrim. Edhe s’din edhe s’don. Kur s’lejon të të duan, së paku të të urrejnë. Mjafton që njerëzit të kenë ndjenja të forta ndaj teje, s’ka shumë rëndësi se çfarë lloj ndjenjash! Kështu kënaqesh ti.
U zhduke! Kjo ka qenë gjithmonë një ndër superfuqitë e tua më të veçanta. Të zhdukeshe. Së bashku me premtimet e tua të dhëna. Të cilat i merrte era ende pa dalë plotësisht nga goja. Sidomos atëherë kur duheshe më së shumti. Nuk i përkisje kësaj bote ti jo! Shpirti yt vinte nga një tjetër dhe ishte gatuar për atë tjetrën. Nuk ishe si ne njerëzit e rëndomtë me ëndrra, ndjenja, zhgënjime.. shpirti yt nuk i përkiste këtujit, andaj nuk robërohej ndaj askujt dhe ndaj asgjëje. Por ti vdisje t’i robëroje të tjerët. Pasioni yt ishte të jepje urdhëra, e të tjerët të rendnin pas teje. Knaqeshe kur i shihje tek iu merrej fryma duke ngarend për ty, tek iu hapej goja nga orë të tëra pa gjumë duke kryer punët e tua. Mund të kishe nën urdhrat e tua këdo që ti dëshiroje kurdo që dëshiroje. Mjaftonte pak karizëm.. një buzëqeshje. Por kur përballeshe me shpirta rebel si i imi, kjo taktikë nuk funksiononte më. Atëherë gjithë këtë artin e levizjes së fijeve e shihje si një sfidë tashmë. Dhe ti përvishje mëngët dhe sillje në skenë metoda të reja. Si përshembull të luaje viktimën. Shtireshe si një qënie e brishtë si një vepër arti e dëmtuar e cila meritonte shpëtim. Dhe kështu, arrije të shtoje në koleksionin e kukullave të tua edhe një tjetër viktimë. Për të risjellë në skenë një tjetër sukses tëndin. Mjaftonte të lëvizje fijet me gishtirinjtë e tu.
Në shtëpinë tënden nuk të përkiste asgjë. Përveç këpucëve. Këpucët e tua ishin pasuria jote më e madhe. Ishin shkopi yt magjik që të ndihmonte të zhdukeshe kur të doje ti pa nam e nishan. Ikje kur doje vije kur doje. Askush s’e merrte as guximin të të pyeste “për ku kështu?”. Të gjithë e dinin se do përballeshin me një heshtje të gjatë dhe të pafund.
Kur hyje në shtëpi zakonisht, këpucët nuk i lije jashtë, as nuk i merrje brenda në raft. Ato qëndronin gjithmonë në prag të derës me drejtim nga dalja. Të gatshme dhe në padurim për ta lënë shtëpinë. Për të ikur larg njerëzve. Drejt heshtjes.
Sot, pasi ta fala ritualin e lamtumirës, e teksa po të përcjell drejt asaj bote së cilës i përket, vendosa të të fal.
Jo vetëm sepse hyre në shtëpinë time me këpucët gjithë baltë, jo vetëm sepse ike pa u ulur akoma, kur kisha më së shumti nevojë për ty, jo vetëm sepse më shtove në koleksionin tëndë të kukullave me fije, por sepse unë e meritoj faljen.