| Nga SHKËLZEN HALIMI |
Në oborrin e kasolles sonë kishim një qershi që lulëzonte në çdo të tretën pranverë. Lokja thoshte se vetëm qershia jonë e di kur vjen pranvera. Dhe kur lulet e saja përhapeshin nëpër degët e bollshme, atëherë lumnajë njerëzish kalonin pranë oborrit tonë për ta parë atë mrekulli që ndodhte një herë në tre vjet.
Një herë në tre vjet, me lulet e saja të hedhura në ujë, ne laheshim në vaskën e drurit. Atëbotë lokja na zgjonte herët në mëngjes dhe na fuste në ujin që e ngrohte tërë natës. Pëshpëriste diçka që ne nuk e kuptonim. Ajo gjithsesi do të jetë lutur për shëndetin tonë, sepse kishte frikë nga sëmundjet e rënda që të mbërthenin në shtrat për vite të tëra.
Një ditë mbi qiell u paraqitën re të zeza dhe fshikulloi një erë e fuqishme, të cilën qershia jonë nuk pati fuqi ta përballojë. Ajo u shkul me gjithë rrënjë dhe u përplas në mes të oborrit. Në kasollen tonë pllakosi një heshtje varri, kurse unë nga habia dhe lemeria njëkohësisht, ndjeva se pikëllimi po ma ndrydhte fuqinë dhe rashë në shtrat për t’u ngritur pas shtatë ditëve. Shtatë ditë e shtatë net më kishte nënshtruar agonia. U zgjova në një mëngjes të zymtë, me sy të buhavitur, duke nxjerrë klithje të mbytura.
Dashurinë për qershinë e kam ruajtur në arkën e kujtesës dhe është pema e vetme, frytin e të cilës nuk mund ta gëlltis. Në xhepin tim të fshehtë mbaj edhe një copë letre, në të cilën e ruaj një vjershë (japoneze) që bën fjalë për qershinë. Një luftëtar që përgatitej të shkonte në fushën e betejës, para se të largohej nga shtëpia ku kishte lindur, ishte ndalur pranë qershisë dhe me një buzëqeshje mahnitëse kishte pëshpëritur: “o qershi e dashur/ unë po shkoj./ Nëse nuk kthehem/ ti lulëzo”.
I rrëmbyer nga dashuria për qershinë tonë të dikurshme, shikoj flakën e zbehtë mbi shandanin e vjetër, shikoj ngjyrën e flakës që më ngjason me ngjyrën e luleve të qershisë, e cila në arkën time të kujtimeve vazhdon të lulëzojë në çdo të tretën pranverë, duke u ujitur me djersën e ftohtë që shpërthen në trupin tim nga pikëllimi që ma ka mbërthyer që kur qershia jonë u përplas në mes të oborrit dhe që kur pllakosi ajo heshtje varri në vetminë e shpirtit…