ARRATI

| Nga XHENI SHEHAJ |

Ishte e shtunë mbrëma kur më telefonoi dhe me zërin që i shkëputej nga ngashërimi më njoftoi se personazhet e saj ishin arratisur. Aq shumë u shastisa sa për disa çaste mbeta pa gojë. E dija se shkrimtarët ishin pak të “çmendur” por mikja ime dukej rëndë. E si mund të arratiseshin personazhet?

Kishte patur kriza të tjera por kishin qenë të vogla, të lehta, të tipit: “nuk kam frymëzim”, “ky shkrim nuk vlen asgjë”, “nuk po botohen më shkrimet e mia” e të tjera si këto. Por që të arratiseshin personazhet e që ajo të përjetonte një krizë të mirëfilltë kjo ishte e paimagjinueshme. Edhe pse nuk e kuptova plotësisht se ç’kishte ngjarë, nxitova ti gjendesha pranë.

Pas njëzet minutash ndodhesha në ballkonin e saj, ajo duke ndezur e fikur cigare pafund, unë duke pirë lëng shege e duke dëgjuar me vëmendje “gjëmën” që kishte gjetur miken time. Ishte hera e parë që e shihja në atë gjendje të rënduar.

“Gjithë natën kisha ëndërruar se si do e vazhdoja rrëfimin. Kisha imagjinuar skema nga më të ndryshmet. Ngjarje që ndërthureshin, situata surreale, një sëmundje që … Ndoshta iku prej saj. 

Ose, nuk e di. Të betohem që se di. Unë jam keq, jam shumë keq. Tani u mbyll…”

Mes këtyre fjalëve të shoqëruar me ofshama e lot mezi munda të kuptoja se dy personazhet kryesore të romanit që mikja ime shkrimtare kishte në duar, i kishin lënë shëndenë pa asnjë paralajmërim. Madje, guxoi të shtonte ajo, nuk kanë lënë as dhe një pusull. 

Ç’pusullë zeza! – mendova. Si dreqin do e linin pusullën kur je ti që i drejton, i jep zë, trup, mendime? 

Mirëpo mikja ime nuk dëgjonte nga ky vesh. E kishte ndarë mendjen dhe vijonte të ndiqte të njëjtën linjë mendimi. E megjithatë nuk më bënte zemra ta qortoja. 

Pasi përgatita dy kafe u ula përballë saj dhe me mendjen e mbledhur për ta bërë të arsyetonte ia ndërrova paksa drejtimin bisedës.

– Dëgjo, e gjithë kjo çështje në thelb ka të bëjë me frymëzimin. Ti nuk ke frymëzim për momentin, dhe për pasojë personazhet e tua nuk janë në veprim. Ty të duket se janë arratisur por në fakt janë aty vetëm se të heshtur, të vënë në pauzë. Më kupton?

Shikimi i saj digjte, aq sa i hoqa sytë e mi nga të sajët. Pasi ktheu një gllënjkë kafeje, u kollit dhe me një qetësi të pashfaqur deri më atë çast m’u përgjigj:

– Ndoshta ti ke të drejtë. Por unë jam e bindur se ata kanë ikur përgjithmonë. Mbase nuk u ka pëlqyer rrjedha që po i jepja ngjarjeve, ose roli që kisha përcaktuar për secilin prej tyre. Nuk di të them me saktësi se përse kanë ikur. Di vetëm që nuk janë më në mendjen time. Nuk kanë për të qenë më kurrë…

Atë natë mendova gjatë për bashkëbisedimin me miken time. Sa më shumë habitesha me këndvështrimin e saj po aq shumë më vinte për të qeshur. Nuk di të them përse por mendoja se e gjithë situata e krijuar ishte një shaka, një lojë e saj. E si mund të arratisen personazhet? Ku shkojnë xhanëm? Megjithatë sa më thellë e mendoja si problem aq më tepër kuptoja se po futesha në një botë ku gjithçka ishte magjike dhe çdo gjë ishte e mundur. Një botë ku të qenit brenda kornizës ishte diçka e dalë mode. Përfshirja ime në këtë histori më kishte bërë pjesë të botës së madhe të rrëfimit. Dashja pa dashje unë isha dëshmitare e ekzistencës së një romani të mbetur në tentativë, njihja tipare të veçanta të dy personazheve që kishin marrë arratinë dhe me pak fat mund të gjeja vendndodhjen e tyre. Ndoshta do të më akuzonin për pjesëmarrje në arrati. Gjithçka mund të ndodhte në botën e trilluar ku mikja ime shkrimtare më kishte futur tashmë. 

Vite më vonë

Kanë kaluar shumë vite që nga koha kur personazhet u arratisën. As unë, as mikesha ime nuk mundëm të mësonin për fatin e tyre. Të tjera personazhe u krijuan në laboratorin tonë artistik e megjithatë secili prej tyre ishte i pazëvendësueshëm. 

Më kot kërkuam në skutat e mendjes. 

Në hapësirat e shpirtrave, më kot. 

Udhëkryqet, sokakët, fushat, lumenjtë i rrahëm në çdo pëllëmbë. 

Dhe në ëndrra ia behëm netëve, 

harruar mbetëm aq gjatë, 

kufijtë kaluam pareshtur,

dështimi mbi ne ra si shpatë.

*Në kujtim të personazheve të humbura përgjatë rrugëtimit.