| Nga NAZIF AGALLIU |
Fund i viteve gjashtëdhjetë
Diktatori vizitoi qytetin
Si të përurohej Kulla Babel
Përvjetor shtetrrethim festë
Që nga vitet zjarr e tym të luftës
Vizita e tij më e bujshme
Kryeministri i parë i shtetit
Në qeverinë e parë të këtushme
Ishte vizita e tretë
E radhës ndoshta, sigurisht e fundit
Lotohej e ngazëllehej
Pas fjalëve erdha t’u bëj më të lumtur
Slloganet e qytetit tjetërsuan
Në përmasa fasadash portretet
Pas Traktatit të Varshavës denoncuar
Ishim vetëm a mbetëm vetëm
Zëri i kryeministrit ngjallte e vriste
Prerë zymtë me tone eprorë
Fjala socialimperializëm
Ngutshëm hyri ato ditë në fjalor
Perëndimi s’u zu në gojë
Rreziku tani quhej rus e Lindje
Vendi duhej të armatosej
Me shtrëngim radhësh ushtarë armatime
Fytyrën e tij dyll të verdhë
Vështroja dhe shtetrrethimin përqark
Dukej flitej me fjalët e Brehtit
Lufta mbaroi, ruhuni paqes
Qielli me britma dehej
E kopsitur kjo në kujtesë
Vështrimi i tij nga fytyra e verdhë
Tretur tej mbi fortesë
Tetori i tij i dytë
Përsëri mund t’i sillte disfatë
Mbi fortesë diktatori ngurosi sytë
Ah Berat prapaskenë Berat
Revolucioni Kulturor në Kinë
E tundonte pas grushte shtetesh e rënie shtetesh
Pas pesë yjeve të verdhë mandarinë
Shqipëria me një yll po mbështetej
Në hotel la byronë e qeverinë
Me Zim fluturoi.Enigmë fshehtësia e ikjes
Heshtja pyeste ku gdhihet, ku shkoi
Midis Perëndimit e Lindjes
2021