| Nga HYRË FAZLIJA |
Në mëngjes kur më ngroh ballin,
nën rrezet tua vloj kafenë pa sheqer, …
sade, i thonë.
E duke u veshur,
me ty mbi supe,
filxhanin përmbysi,
të shoh nëse rruga e ditës
kalon nga ti…
Me shkëlqimin tënd,
grimosi fytyrën e lodhur nga pagjumësia.
Në thjerrza xhami,
sytë m’i shigjeton
për të të lexuar biletën e zbritjes,
ku do të ndalosh?!
Mesditës i vë saçin, prush…
Djeg xhelozitë e mia, për dreq…
Kur ta lodhi shpirtin
duke të veneruar,
varesh në cep buzësh,
më zvogëlon shikimin
më perëndon mbi sy:
-Do të kthehem kur do të flejë nata, sikur thua.