| Nga HAMDI NUHIJU |
Në Malësi të Gjakovës jetonte një plak i urtë që quhej Agim. Detyrën prej bariut e kryente me nder dhe respekt. Agimi i urtë ishte i vetëdijshëm se edhe në moshë të shtyrë kur rrudhat ta kanë kapluar ballin, nuk bën që të shtrish dorën për të kërkuar lëmosh. Krenaria e tij ishte e madhe sa rrënjët e thella nën tokë të kodrave që vizitonte çdo ditë.
Në moshën e mesme kishte ngelur pa gruan, Halimen, të cilën e kujtonte me mall përmes tingullit të fyellit me të cilën argëtohej dhe argëtonte delet, qentë, ujqit dhe pëllumbat. Sytë i rridhnin lot, zilet në qafet e deleve ndalonin, qentë në shenjë respekti ndalonin të lehurën dhe dëgjonin me kortezi spektaklin e përgatitur nga bari Agimi.
Agimi kishte humbur edhe djemtë, të cilët ranë heroikisht në luftën e fundit në Kosovë. Tashmë kishte ngelur vet në kasollen e tij të vogël të cilën e ngrohte me dru ahu.
Përndryshe, Malësia e Gjakovës është një vend tepër atraktiv dhe në periudha të ndryshme të vitit vizitohet nga alpinist, të rinj e të reja që janë të dashuruar me natyrën. Ata vijnë nga vende të ndryshme të botës, po pjesa më e madhe është nga trojet shqiptare në Gadishullin Ballkanik.
Bari Agimi i përshëndet çdonjërin prej tyre dhe i ofron kafe në kasollen e tij të vogël, por të ngrohtë dhe të mahnitshme për nga mikpritja. Student nga Japonia habiteshin se si një plak i ofron dhe i shërben kafe. Me habi shprehën mirënjohjen e tyre, fotografuan kasollen dhe bënë selfi me bari Agimin. Duan që ta kanë kujtim kur të shkojnë në vendin e tyre.
Nuk ka njeri që nuk është ndarë i kënaqur nga takimi me bari Agimin. Atë e kanë vizituar president e kryeministra të vendit, ambasador dhe kryetar komunash. Agimi mahniste të gjithë me urtësinë dhe humorin e tij specifik. Theksi i tij prej Gjakovës shtonte më shumë kërshërinë e vizitorëve. Përveç profesionit të bariut, ai në mënyrë specifike është detyruar që të mësoj edhe përballjen me sëmundje të ndryshme. Nuk është aspak e lehtë jeta në Malësi, e sidomos në Malësinë e Gjakovës. Dimrat janë tejet të ftoftë dhe të rëndë, ndërsa vera është e mundimshme.
Në kasollen e bari Agimit gjen barna të ndryshme të përgatitura në formë natyrore dhe të vendosura në kavanoza. Po ashtu, gjen çajra të cilat janë mbledhur nga Malësia e Gjakovës.
– Nuk i dihet asnjëherë, thonte me zë bari Agimi. Mund të mos i përdorim asnjëherë, po ndoshta edhe mund ti përdorim. Kur të na duhen, ti kemi!
Në mëngjesin e hershëm, bari Agimi del në bjeshkë bashkë me delet e tij. I duket situatë e papërshkruar. Sheh gjurmë gjaku. Me shkopin e tij nis që të ecë me hapa të përshpejtuar, njëjtë në mënyrë të përshpejtuar i rrah edhe zemra. Sheh në tokë një vajzë të plagosur rëndë, të cilës i kishte humbur vetëdija. Nga çanta e tij nxjerr një barë të cilin ia afron tek hundët, ia lag fytyrën dhe buzët. Pas një kohe vajzës i kthehet vetëdija dhe kërkon ujë. Bariu e shërben me ujë dhe fillon që t`ia shëroj plagët.
Pas lidhjes së plagëve dhe kthimit të vetëdijes, vajza e bukur me sy bojëqielli dhe flokë kaçurrela, me zërin e saj melankolik falënderon bari Agimin.