SHITE

| Nga LIRIDON HYSENI |

Shite, hajde shite
Merre karrocën e dil prite
Në pazaret e idealeve rendite
Me dy duart e tua ujite
Le t’a prek dielli i kryesisë
Pakëz aromë për hundët e kudofutura
Ndjelli zëlartë me vendosshmëri
Mbaj fjalime të zjarrta,
Me dogma të bukura!
Ty, bujk që kultivon rrjeptorinë
Në pritje të hapësh thertoren
Që mban erë gjaku shtatë lagje kalimthi
Në festivalin e hundëve t’a uroj fitoren!
Sikur shitje mishin
E freskinë dëshmoje
E rrugëve t’pazarit
Dorën engjullore shtroje
Dogma jote le të bëhet tash shok i mëngjesit
T’a kultivosh arën e re
Bashkë me kryesinë e dreqit.
Shite bre, kur t’them unë shite
Shitja mjeshtrit e hakun në vend qite
Marioneta me karroca pazaresh në pritje
Kanë pushtuar rrugët plot fytyra në shitje!
Eh pra, në mundësinë e parë shite!

Foto@BenHeine