NJË VDEKJE E ÇUDITSHME

| Nga SHKËLZEN HALIMI |

Një ditë para se ta humbte vetëdijen, nëna më tha: nëse vdes, mos më varrosni pa qenë prezent (Kostan)DINI dhe (Dorun)TINA.

I thash se do ta mbaj fjalën.

Të nesërmen mora lajmin e keq, nëna kishte humbur vetëdijen. Po të njëjtën ditë shpërtheu një mot i lig, me borë e acar të trishtueshëm. I telefonova Dinit dhe ia tregova lajmin e rëndë.

Do të vij, ndonëse të gjitha rrugët janë të pakalueshme. Gjallë a vdekur do të jemi aty. Do të vij bashkë me Tinën, – tha ai.

Po e mbajmë në jetë, -më tha mjeku kujdestar, – por se sa do të zgjasë kjo gjendje, këtë askush nuk mund ta thotë.

Pas shtatë ditë udhëtimi, të rraskapitur sa s’ mund të përshkruhet, Dini dhe Tina mbërritën para klinikës. Mezi merrnin frymë. Pikë gjaku s’ kishte mbetur në fytyrat e tyre. As folën e as futën gjë në gojë.

Bashkë me mjekun u futëm në dhomën e vogël ku qëndronte nëna. Pashë se Tinës i rrëshqiti në faqe një pikë loti, kurse Dini ia përkëdheli ballin. Ata dolën, ndërkaq unë mbeta me mjekun.

Gjendja e saj nuk premton shumë, – më tha ai.

Mendova se Dini e Tina po më pritnin jashtë, por nuk ishin. Pastaj shkova në shtëpi, i bindur se do t’i takoj aty. Nuk i gjeta. Nuk erdhën as në mbrëmje, as të nesërmen kur në mesditë mjeku më njoftoi se jeta e saj ishte shuar. E varrosëm, por mendjen e kisha te zhdukja e papritur e Dinit dhe Tinës.

Në mbrëmjen e të njëjtës ditë, pak para mesit të natës, cingëroi telefoni. Dëgjova zërin e Dinit. Po dëneste.

Ishte e pamundur të vijmë, – më tha ai dhe sakaq u zhduk zëri i tij.

Kurrë më nuk u paraqitën, as Dini e as Tina. I kam kërkuar gjithandej. U zhdukën pa lënë gjurmë.

Ishte një vdekje e çuditshme, – më tha mjeku ditën kur ma kumtoi lajmin e kobshme. – Pak para se ta lëshojë edhe frymën e fundit, ajo pëshpëriti: po shkoj me Dinin dhe Tinën dhe i mbylli sytë, duke buzëqeshur…

Foto@MarceloLeal