| Nga LEJLA ISMAILI |
Ndonjëherë ndihesh sikur je i sulmuar dhe i munduar pambarimisht, sikur një zë i pashuar përshpërit në vesh, duke të ngulitur dyshim e peshë faji. Kthen kokën, vështron rreth e qark, por askush s’është aty. E megjithatë, ai zë vazhdon, ngulmon, të përsërit:
“Ah, sa budalla që jam…”
Të flet pa pushim, pa lodhje, pa ndalim.
Të shtyn të shohësh me dyshim, të paragjykosh çdo njeri që hyn në jetën tënde, qofshin familjarë apo miq. Përhapet si valët e një liqeni të trazuar, duke ngjyrosur çdo mendim me mjegull të zezë.
Nuk di me sa mendime të shëmtuara të shpon, saqë edhe të mirën ta paraqet si të keqe, e të keqen si të mirë.
Të mbyt. Të bën të dyshosh në vetvete.
Pastaj ndalesh. Përpiqesh të arsyetosh:
Unë? Jo, kjo s’mund të jetë e vërtetë. Nuk mund të ndodhë në mendjen time, e aq më pak në jetën time…
Të mëson të keqen e më të keqes, të josh e të përpin. Ashtu si një gotë çaji të idhët, ku mbi të hidhet sheqer, e përzihet aq sa të humbasë kufirin mes dy shijeve.
Por a ka një fund kjo shëmti?
Jo, nuk ka…
Dhe megjithatë…
Ajo që dua të të përgëzoj është fuqia jote, zemërbardhësia jote, krenaria jote. Ti nuk e humbe karakterin, nuk e lejon veten të bëhesh pjesë e kësaj loje të njollosur.
Atëherë kur të thonë të bëhesh gur, që të mos ndjesh kurrë mëshirë…
Ti ndriçon me durimin tënd, deri në atë çast kur edhe vetë durimi të thotë:
“Mjaft durove!”
Kur mirësia jote e bollshme të përplaset në fytyrë dhe shigjetat e mprehta të djegin gjoksin… Përsëri, ti mbetesh ajo guacë që me kujdes e ruan perlën e saj të çmuar, për t’ia dhuruar atij që e meriton.
Kur fryma të merret nga fjalët e papritura të atyre që i ke menduar dashamirë… Ti përsëri frymon, vepron, dhe i mban pranë në mendje e në zemër.
Kur lufton përballë asaj që njihet si e keqe: përçarjes, mashtrimit, mallkimit, urrejtjes, zilisë, ndarjes…
Ti i lufton. Ti i tejkalon.
Dhe vazhdon të jetosh në qetësinë e shpirtit tënd, pa lejuar asnjë hije të zbehojë begatinë e tij hyjnore.
Kjo është për t’u përgëzuar!
Foto@EvgeniTcherkasski