| Nga ARBEN HYSENI |
Si je?
Mirë për nder të robit,
e hakun e zotërisë e bâj;
ngjeshur kuletën e harxhuar
në xhepin e belit të shkarë.
Ec rrugës me shenja,
një dritë e kuqe më ndalon;
edhe vijat e shtrira mbi tokë
thonë: guxo, e mos ndalo.
Por nxitem tatëpjetë,
gurët më pengojnë;
mbi shinat e trenit
nuk guxoj të ndaloj.
Gjej tavolinë të zbrazur
aty afër lagjes sime;
shoh lulin e Migjenit,
prapë me gishta jashtë.
Ulur aty afër meje
Agolli, mendimtar,
kërkon nga hija e vet
përgjigjen që s’e gjen dot.
Lart ngrihen korbat,
laraska ishin bërë;
ngjyra e hijes u është zhveshur,
por në tokë s’dinë me ra.
Por afrohet babi,
dyzet vite pa frymë;
m’i tha fjalët e fundit:
“Pse je, e pse t’kam rrit?”
Në fund e shoh veten,
shtrirë, me djersë në ball;
i thashë vetes sime:
pa pirë, i dehur jam.
Foto@atelierbyvineeth