| Nga DHURATA HOTI |
Ma thërret emnin si një lutje e vjetër;
mezi e njoh,
por trupi jem kthehet kah ai.
Nuk kam lëkurë.
Jam e mbështjellun në një shtresë të hollë,
të shndritshme,
që më ngjitet rreth trupit si frymë.
Nuk më mbron.
Kurrë nuk më ka mbrojtë.
Më prek sikur të ishte tu lexu diçka mbi sipërfaqen time;
gishtat i rrëshqasin si mbi qelq.
Thotë:
“Sa e bukur je kur nuk përpiqesh me qenë njeri,”
dhe unë e besoj.
Nuk më kujtohet ma
asnjë trajtë tjetër.
Ai e sheh në sytë e mi.
M’i mbyll ato,
butë,
me qëllim.
“Shiko,”
pëshpërit.
Në terrin mbrapa qepallave të mia,
diçka lëviz.
Trajta e Zotit
apo lënda e papërpunueme e natyrës sime,
e paformë
dhe që dridhet.
Foto@MariLezhava