A U MËRZITE

| Nga LEJLA ISMAILI |

Jeta është shumë e bukur,
deri në çastin kur dëgjon të të thuhet:

“Na la…”

Na la dashuria jonë e vetme.
Dhe atëherë fiken të gjitha dritat
që ta ndriçonin çdo ditë të vetme..

Pa më dhënë shenjë, pa pritur fare,
më hapi rrufeja e shpirtit derën e mërzisë…

Se ç’u ngritën në këmbë gjithë ç’kam përreth e më gjerë,
i njohur e i huaj.
Pse më vizitoni?
Për çka më ngushëlloni?

A u mërzite?

Si është përgjigjja e kësaj vallë?
A shpjegohet dot?
S’e besoj.
S’ka fjalë.

A u mërzite që t’u shua drita e mëshirës?
Se t’u mbyll lutja e më të mirës?

A u mërzite se s’ka kush ta qajë hallin,
e s’ka kush ta heqë mallin?

Se t’u mbyll dera e parajsës,
e u zbraz bota përplot.

E si jetohet vetëm me kujtime,
të mbledhura grusht
e të vëna në kraharor,
që shpërthejnë sytë sa herë
grushti hapet…

Ty të përcolla,
edhe vendin tënd e di,
se të lashë amanet në praninë e të Lartit.

E unë?

Bashkë me ty përcolla edhe një copë të shpirtit tim;
tjetra më mbeti të më shërbejë,
derisa të vijë vakti.

Foto@MargaritaPetrova