SI NJË TRUP PA STREHË

| Nga ALBAN HAJRUSHI |

Është natë, një natë që duket sikur s’ka fund, e
rëndë si një kujtim që nuk të lë të marrësh frymë. Jam
vetëm. I harruar nga të gjithë, i humbur mes katër
mureve që më shtrëngojnë si grusht. Nuk di çfarë të
bëj. Rryma është ndalur, drita është zhdukur dhe,
bashkë me të, edhe shpresa.
Dritaret janë thyer dhe shiu futet brenda me egërsi.
Bie me forcën e një zemërimi qiellor, si bubullimë që
shkund zemrën time të lodhur. Trupi më është lagur,
më është ftohur. Nuk ka as mbulesë, as ngrohtësi.
Ndihem si një trup pa strehë, i ekspozuar para botës, i
pambrojtur.
Jam i lodhur. I thyer. Nuk kam asnjë pranë. Askush
nuk troket. Askush nuk flet. Vetmia është zëri i vetëm
që dëgjoj, dhe ai më bërtet në heshtje.
Të lutem, eja. Ndokush. Një zë. Një frymë. Një shpirt
që ta ndiej pranë. Pse jeta është kështu e heshtur, bosh,
e mbyllur në vetvete? Pse duhet të qëndroj këtu, i
vetëm, pa asnjë dritë, pa asnjë njeri?

Foto@GiuseppeArgenziano