| Nga GENT MARKAJ |
Vjen një ditë, mëngjes a mbrëmje
apo ndoshta edhe një mesnatë me borë
Kur kupton se flokët t’janë zbardhur kot
Kur ta kap sa shpesh sytë kanë folur
E ti s’ua ke kuptuar gjuhën
As regëtimën
As krahëhapjen e bebëzave
As ngrehjen e buzëve si hark shigjete
Të shtyp një mendim shkëmb e ti fshan
pse shpesh dhëmbët nën dry i ke kyçur
e nëpër depo mijëra buzëqeshjeve tua
heshtur u ka kaluar afati i skadimit
Vjen një mot i vranët kur për herë të parë sheh
Sa i bukur është qielli i përhirtë e i përlotur
e vesë të duket kur mbi ty ai ftohtë derdh shiun
Vjen
një ditë kur veten e qorton më fort se prindërit e tu
një natë kur t’djeg malli për njerëzit që s’i ke njohur
një moment kur më në fund mëson ta falësh botën
Shkon
çdo gjë që kemi urryer, dashur, shpërfillur
çdo gjë që mendonim se ishte e huaja, e jona,
çdo dhimbje e vuajtje, çdo gaz e gëzim
dikur vjen dhe një ditë si sot
kur ti mëson të falësh veten.
Foto@DynamicWang