“KRAHË TË BARDHË”

Shaha Hyseni e lindur në Preshevë ku dhe ka përfunduar studimet fillore dhe të mesme. Më pas është zhevndosur në Shkup dhe aktualisht në Sakarya për studimet universitare dhe master.

Ka filluar të shkruaj prej moshës 12 vjeçare dhe poezitë e para janë botuar kryesisht në revistat e shkollës.

Malli, vendlindja, Shkupi…janë disa elementë që të frymëzojnë, cilët janë disa elementë apo fenomene të tjera të cilat të nxisin të hedhësh përjetimet e tua në letër?

REVİSTA HESHTJE

Poezitë e mia kryesisht kanë motiv metafizik, kjo ngaqë nuk mund të bëjë shkëputjen e Zotit nga njerzit. Çdo përjetim qoftë i mirë apo i keq kthehet tek Zoti. Pastaj natyra është nga frymzimet më te mëdha. Dhe gjithçka sillet rreth së bukurës. Mga ana tjetër poezitë më të ndjera janë shkruar nga dhimbja dhe nga ato emocione që të shkundin.

Sa i rëndësishëm është arti në jetën tënde dhe cili është raporti yt me të?

REVİSTA HESHTJE

Me artin në pergjithesi kam pasur lidhje aq sa një fëmijë në atë kohë ka mundur të kuptojë. Megjithatë, me poezinë jam njohur falë dajës së ndjerë Shaip Ahmeti, e ndoshta jam ndikuar prej tij, apo më ka frymëzuar drejt këtij rrugëtimi disi, pasi ai vetë ka qenë poet.

Më pas, edhe studimet e larta i kam përzgjedhur që t’i vazhdoj në ato fusha që deri diku kanë lidhje me artin dhe letërsinë.

Megjithatë, mendoj se në post-modernitet është e vështirë të përcaktojmë se çka është art. Njerzit kanë shije të ndryshme dhe e perceptojnë në forma të ndryshme artin. Unë parapëlqej të jem pjesë e artit që përçon dicka, që të bën të mendosh, të lëvrosh cilësitë e tua si karakter si njeri.

Cli është vizioni që të ka shoqëruar gjatë rrugëtimit tënd deri në këtë fazë të jetës tënde, apo thënë ndryshe, deri tek libri yt i parë?

REVİSTA HESHTJE

Libri është botuar në vitin 2015, nga shtypshkronja “FocusPrint” Shkup me lektorim nga Arsim Jonuzi.  Per publikimin e poezive më kanë nxitur kryesisht njerëzit të cilët e kanë përzemër poezinë. Kur shkruajmë gjithnjë kemi nevojë t’i ndajmë shkrimet dhe përjetimet tona edhe me një palë sy që ta kuptojmë se në rrugën që kemi nisur po kultivojmë ose jo të bukurën.

Rrugëtimi në poezi ka ndryshuar me kohën, sepse kisha ndryshuar edhe unë si njeri dhe leximi i poezisë shqipe, por jo vetëm, edhe të poezive të tjera gjithashtu ka ndikuar në zhvillimin e stilit dhe pjekurisë së poezisë sime. Meqenëse një gjë e tillë është vënë re nga të tjerët, propozimi për publikim ka ardhur nga po këta dashëmirë. Natyrisht që poezitë e tjera janë lëvruar edhe më ndryshe sepse unë shkruaj edhe në gjuhën angleze.

Nuk kam menduar se do botoj ndonjëherë libër. Botimi ishte luks në një farë mënyre ose ishte çka të gjithë po bënin, të gjithë po shkruanin poezi. Ndoshta një ndër gjërat që më ka shtyer të mendoj për botim kanë qenë njerëzit të cilët e kanë lexuar poezinë time, dhe më kanë shtyer drejt publikimi të saj, në kuptimin që “edhe të tjerët duhet ta lexojnë”. Vizioni i vetëm mbetet gjithësesi kultivimi i së bukurës!

Proza dhe poezia: si ndërthuren të dyja bashkë në “Krahë të Bardhë”?

REVİSTA HESHTJE

Në “Krahë të Bardhë” poezia dhe proza kanë një ndërthurje interesante. Përderisa poezitë janë përjetime më personale dhe të vërteta, në proza ka më shumë fantazi të zhvilluar, pra një bashkdyzim i reales dhe sureales. Nuk ka një renditje të caktuar se cila vjen pas cilës, por ndërthurja vjen natyrshëm, ashtu sikurse dhe procesi i të shkruarit.

A ke ndonjë shkrimtar/e prej të cilit/cilës frymëzohesh e motivohesh dhe që ka shërbyer si shembull për ty?

REVİSTA HESHTJE

Në fillimet e para kam qenë e njohur vetëm me poezinë shqipe dhe do veçoja autorët si: Migjeni, Ismail Kadarenë dhe Ervin Hatibin. Por interesimi im në poezi ka nisur të rritet kur kam filluar studimet e larta. Meqenëse drejtimi që po studijoja përfshinte letërsinë amerikane, njoftimi me poetë të ndryshëm filloi aty. Më të preferuarit e mi të kësaj kohe ishin: Walt Whitman, Edgar Allen Poe, Emily Dickinson, Jack London. Po këto vite u njofta edhe me poezinë arabe. Kjo ndoshta ka qenë një ndër momentet kur kam kuptuar se poezitë e mia kanë nevojë të rriten edhe më shumë. Do theksoja poetin e njohur sirian Nizar Kabbanin për arsye se poezia e tij ka qenë revolucionare në kohën kur gratë po shtypeshin shumë. Edhe unë si një grua e gjejë veten tek poezitë e tij dhe kauza e tij përmes poezisë është ndër shtysat që ta dua poezinë e Kabbanit. Ndër poetë të tjerë janë Mahmoud Darwish, Ikbal, Khalil Gibran dhe Hafiz.

 Dhe në fund, si e percepton “heshtjen”si koncept?

REVİSTA HESHTJE

Me thënë të drejtën, nuk e kam konceptuar ndonjëherë heshtjen, kjo ngaqë neve na duhet ta praktikojmë më shumë atë në vepra dhe përditshmërinë tonë. Besoj se heshtje është pranim i asaj çka ndodh rreth nesh, por më së shumti pranim i njerëzve. Heshtje është mos paragjykim i të tjerëve. Ne si shoqëri kemi tendencën me pasur një gjykim rreth gjithçkaje dhe gjithkujt, dhe gjithnjë kemi për të thënë diçka. Shumicën e rasteve, gjërat më të bukura nuk janë thënë, dhe kjo është një bukuri tjetër. Por në përgjithësi heshtja e shoh si një proces pjekurie, dhe m’u duk gjetje interesante për ta emëruar dhe revistën tuaj të tillë si një proces i pjekjes së letërsisë vendase dhe bashkëkohore.