A JU ERDHI NAJ FËMIJË SOT

| Nga KLODI SMAJLAJ |

E pyta nanën teme:

– Nanë, a ju erdhi naj fëmijë për me ba Bajram me ju sot?

– Veç 5 m’erdhën, – tha. “Ku ku, moj nanë, po ku ka mbet ma fëmijë për me ardhë ktu?!”

E mbylla telefonin e trishtume.

Me dy fjali m’u përplas fytyrës një realitet që ndonjëherë po du mos me ia vu fort mendjen. Se m’ligshton. Se ma trazon shpirtin. Se m’ban me e pa t’errët t’ardhmen.

Ashtu, n’at trishtim m’u kujtu fëminia jeme, adoleshenca ma shumë, kur n’ditë t’Bajramit, oborrin na e mbushnin fëmijë me qese nëpër duar, që vinin për me marrë bonbona.

Më poshtë po risjell një përjetim të shkruar para 2 vitesh, si shkëndijë e kohëve kur Bajrami ka pas një tjetër frymë:

“Kush i mban mend bonbonat e Bajramit?

Kanë qenë disa toptha të vegjël ngjyra-ngjyra, të futura në një qese të tejdukshme, të cilat i gjeje në çdo shtëpi në ditë Bajrami.

Ato ishin të veçanta. Ishin të tilla sepse ruheshin në një qoshk të odës së pritjes vetëm për fëmijët.

Këta të fundit, disa krejt të vegjël e disa më të mëdhenj, mblidheshin në grup, merrnin një qese në dorë dhe niseshin në misionin e radhës: në mbledhjen e sa më shumë bonbonave dhe karameleve.

Zërat e tyre të gëzueshëm u jepnin gjallnim rrugëve të lagjes.

Diku, në një anë të rrugës, dy-tre nga ata i numëronin bonbonat e mbledhura dhe i krahasonin me njëri-tjetrin, për të parë se kush kishte mbledhur më shumë. Ëmbëlsirat e mbledhura në qese i shihnin si trofe. U shkëlqenin sytë kur nxirrnin nga qesja ndonjë ëmbëlsirë të veçantë, që ua kishte dhënë ndonjë familje me gjendje më të mirë se të tjerat.

Portë më portë, ata bërtisnin njëzëri: “Me shnet Bajramin!”

Ky ishte sinjali që u tregonte njerëzve të familjes përkatëse, se duhej të merrnin qesen e ëmbëlsirave në qoshkun e ruajtur dhe të mirëprisnin fëmijët.

Në fund të këtij turi me mision të posaçëm, qeset e fëmijëve mbusheshin plot me bonbona. Bonbonat i mblidhnin përgjatë të gjitha ditëve të Bajramit, ama dita e parë ishte më e begata.

Kujtime të bukura, vërtet. Në dukje të varfra materialisht, se kush i sheh bonbonet me sy sot para ëmbëlsirave të lloj-llojshne. Por jo. Kanë qenë ndjesi krejt të tjera, emocione krejt të tjera.

Ato bonbone aq të thjeshta në dukje, kishin një shije unike, krejtësisht të ndryshme nga të gjitha ëmbëlsirat e botës sot.

I kam kërkuar sërish ato shumë vite më vonë, për t’ua treguar fëmijëve të mi, ëmbëlsirat e gëzimit të dikurshëm, por nuk i kam gjetur më.

Më patën thënë se mjeshtri që i bënte e që e kishte ruajtur traditën e përgatitjes së tyre, kishte ndërruar jetë. Që nga ikja e tij, nuk i bënte më askush. Ose të paktën jo kur kam pyetur unë.

Sot mbase edhe i bëjnë, por jam e sigurt se s’do ta kishin kurrë shijen e atëhershme, ashtu siç nuk e ka më të njëjtën shije as karamele ‘Zana’.

Me këtë kujtim të largët bonbonesh (tek i cili mund të gjejnë veten shumë miq të brezit tim), ju uroj të gjithëve një Bajram të gëzueshëm e të ëmbël!