| Nga XHEMKADRI KASTRATI |
Ecëm dhimbjeve në shekuj të egër,
mbi plagë kohe nga njëra te tjetra.
Heshtnim nën ofshamat e stuhive,
që ngacmonin edhe plagë të vjetra.
Nga re t’shëmtuara ditirambi vrahej,
ai i trimoshëve të një plejade të artë.
Tradhtia përpinte atë etje që thahej,
për liri, një etje, një dëshirë e zjarrtë.
Kokën në trastë, nën sqetulla mallin,
kufijve të botës si hunjtë qëndronim,
n’gardh thupruar shekujve të kalbur,
nga kohë të egra që mbi ne rëndonin.
Zbatheshim tej rrugëve të kalldrëmta,
bulevarët e kubëzuar të mos i ndyenim.
Në rreze dielli, mbrëmjeve të kuqrremta
lëngun e darkës në mëngjes e ngjyenim.
Në pikëcaqet e mbrëmjes vonë arrinim.
Zbathnim këpucët e dehura nga djersa,
që si temjan në thurrçë t’priftit erëtonin.
Erëtojnë diku akoma po të njëjtat erëza.
Por sot ecim lirshëm në plagë kujtimesh,
tej hijeve zjarresh që nuk shuhen në mot.
Në gurgdhendje do të flasë edhe heshtja,
lirinë që e deshëm të mos na mbetet lot!
Foto@HenryRen