| Nga LIRIDON HYSENI |
Në universin e natës,
Mistikën që lind në atë err’
Me tinguj ernash e brymash,
Do t’ ju shkruaj përherë!
Sa i gjallë që do të mbahem,
Aq dhe i heshtur do të virem,
I lumtur do të vdirem,
Në litarin që ju kërkova!
Kur ju të vëzhgoni
Terrin e natës,
Me nostalgjinë tuaj
Mes lotëve të heshtur,
Kur era t’ju fërkojë
Flokët e shprishur,
Do jem unë, duke i prekur!
Do të dëgjoni zërin tim,
Sikur fllade të lehta erri,
Kur t’ju spikasë një kujtim,
E mallin t’ua kaploj epshi!
Epshi për fjalët e bukura,
Në gjuhën e poezisë,
Me tonikun e vargjeve
Brendapërbrenda vetmisë!
Në dritë do të ndizen
Lartë do të ngriten
Sikur vrullet e afshta
Që nga flaka piqen
Dhe i falin zemrës liri,
Në mistikën e natës
Kur t’a shuajnë zjarrin
E epshit të fjalës
Fjalës për poezi
Që ju dashuroni
Atje ku lindin ëndërrat
Atje mua më kërkoni!