ASKUSHJA

| Nga NADA DOSTI |

Në epitafin e saj shkruhej “Askushja”.

Në njoftimin ngjitur në shtyllë, mbetur aty varë prej ca javësh, thuhej “Do t’i mungojë të dashurve të saj  “Askushja”, varrimi do të mbahet në filan vend dhe orë.” Me siguri përpiluesit e dokumentit vetëm kanë zëvendësuar pamendje fare të dhënat. Ose të padhënat. Sepse askushja nuk kishte një emër.

Në varrim nuk u shfaq njeri. Jo se nuk e morën vesh lajmin por sepse askujt nuk i kujtohej kush ishte Askushja. Lajmi u publikuar në të gjitha gazetat e vendit. Tituj si “Askushja u gjend pa jetë. Arsyet e vdekjes ende nuk dihen” do të lexoheshin në të gjithë shtypin e ditës, madje edhe në lajmet televizive. Kur e panë lajmin të afërm dhe miq, njëri kruante kokën, tjetri fërkonte mjekrrën për të kujtuar kush ishte nga e njihnin. Dikush kontrolloi kalendarin e angazhimeve, dikush tjetër i hodhi një sy parashikimit të motit dhe në fund me një “varja” vazhduan jetën e tyre me punët e tyre. Nuk ia vlente të anulloheshin planet apo të dilej nga shtëpia në një ditë me shi për të shkuar tek varrimi i saj. Për më tepër, as nuk iu kujtohej se kush ishte e uruara. Plus që nuk kishin më asnjë interes.

Thonë se vdiq nga lodhja. Rrethanat mbeten ende misterioze sot e kësaj dite. U gjend e shtrirë përballë “Murit të Dashurisë”. Në një gjendje kollapsi mendor dhe shpirtëror. Nuk vuante nga ndonjë sëmundje vdekjeprurëse. Thjesht shqetësime të zakonshme. Por më shumë vuante nga dhimbja e shpirtit dhe zemrës. Thonë se ankohej vazhdimisht nga shqetësime të tilla. Atë ditë ishte ulur në një stol përballë këtij muroi të famshëm. Një mur i zi me shkronja të bardha. Jo një mur i zakonshëm, nga ato ku njerëzit shkojnë e qajnë, apo si ato muret të cilat njerëzit duan t’i rrënojnë. Një mur i veçantë, mbresëlënës, ku një artist kishte arritur të mblidhte treqind fjalë dhe shprehje nga e gjithë botë të cila në forma të ndryshme shprehnin dashurinë. Treqind fjalë për të thënë “të dua” dhe asaj askush nuk ia kishte shprehur ndonjë nga këto. Ndërsa vetë ishte e gatshme të sfidonte artistin jo me treqind por me mijëra shprehje të tjera të cilat ajo vetë i kishte zbuluar dhe ia kishte dedikua të tjerëve. Përpos vetes.

Mu përballë murit kishte rënë përtokë. Si duket nuk e ka përballuar dot këtë zbulim artistik të dhimbshëm. 

Edhe më përpara kishte rënë dhe ishte përpjekur vazhdimisht duke u kacavjerrë për t’u ngritur, ishte çjerrë për t’u dëgjuar nga tjerët, kishte derdhur lot e djersë për t’u njohur. Për të pasur një emër. Për të merituar një nga këto shprehjet në mur. 

Në fund vdiq si askushja. Të paktën kështu shkruhej në epitafin e saj. Dhe në varrim nuk u shfaq askush. Nuk u lut askush. Nuk derdhi lot askush.