| Nga HAMDI NUHIJU |
Është e hënë! Bariu Ahmed ka marr kopenë e dhenve dhe ka dal në mal. Ia jep këngës. Zëri i tij i bukur, qetësonte bagëtinë, yjet, pemët, barishtet, gjarpërinjtë. I këndonte atdheut, tokës, trimave, dashurisë. Eksitohej! Tema e dashurisë të shkrin sikur mali qysh e shkrin borën në mesin e verës. Kujtonte të dashurën e tij. Ëndërra asnjëherë nuk ju bë realitet.
“Nuk e japim vajzën për një bari. Tërë jetën të vdesin për bukë ose të i vijë era bagël”, thanë njëzëri prindërit e vajzës. Sot e kësaj dite vajza ka ngel si një lule e tharë, e pa-ujitur! Ende është duke e pritur të gjej mashkullin ideal që do t`i plotësonte kërkesat e prindërve.
Bariu Ahmed ndalet në një përrockë! Mbushet frymë thellë, ofshanë dhe qetëson sistemin e tretjes duke pirë disa gllënka ujë. Ai tashmë është një yllë i estradës së pyllit, nuk guxon të dorëzohet para ndjekësve të muzikës së tij.
Shtigjet, malet, rrugët e dhisë ishin të rrezikshme. Sidomos për një bari me një kope të pasur si kopeja e Bari Ahmedit. Gjithandej ku kalonte, e ndiqnin hijenat, ujqërit e gjarpërinjtë . Ujku ka dëmtuar mjaft nga kopeja e tij, edhe pse shpesh herë bariu ka luftuar me to si me vdekjen.
Plagët në trupin e Bari Ahmedit janë një dëshmi e përkushtimit të tij ndaj kopesë. Në terrenin ku kullotë bagëtia e tij, shumë barinj janë dorëzuar sepse nuk kanë mundur ti shpëtojnë rreziqeve dhe dredhisë së tufës së ujqërve. Ai u bë një me natyrën, rreziqet dhe krijoi një sistem ushtarak të mbrojtjes. Mësoi pëllëmbë me pëllëmbë terrenin ku duhej të kalonte bagëtia e tij, dhe e nuhaste me kilometra larg rrezikun.
E martë! Ujku i mërzitur nga përgatitja e bari Ahmedit, i del para! Nuk sulmon kopenë e dhenve, po kësaj here do të zgjidh përgjithmonë pengesën që kishte. Bari Ahmedi lëndohet rëndë. Dëgjohen disa të shtëna në drejtim të ujkut tashmë të ngordhur. Dhentë e trembura drejtohen për nga bariu, e shohin ujkun e ngordhur dhe bariun në agonin e vdekjes.