BUKURISË I JAM DORËZUAR

| Nga DRITAN SKËNDERI |

Vrasës serik i vetvetes jam
Ç’të bëj? Më pëlqen të vetvritem
Të bukurën dobësi e kam
Sa herë n’tyt të pushkës i hidhem

Them s’do vetvritem kurrë më
S’do mashtrohem nga fjala e bukur
Asnjë bukuri t’më mashtrojë s’do lë
Sërish gjunjëzohem si këlysh i braktisur

Repriza të njejta fjalësh mikluese
Shpirt e zemër mi gudulisin
Dreqi e martë! E di që janë mashtruese
Ç’të bëj, i gjori? Më magjepsin…

Të jem tiran, vallë, zemërngurtë
Apo ndoshta dhe frikacak
Ta vras bukurinë, tia nxjerr trutë
Nga origjina të ik, të gdhij kaçak?!

Jo, jo! Do ti dorëzohem të bukurës gjithmonë
Gjithësesi se do ti nënshtrohem
“E çmendi bukuria” le të thonë
I destinuar jam të “mashtrohem”