DASHURI E PAMUNDUR

| Nga ZEHRA MUSNAD |

Ajo:

A ju ka ndodhur ndonjëherë të shkruani letra pa adresë, pa marrës dhe pa dërgues..si e vetmja mënyrë për të mbijetuar dhe për të bashkëjetuar me dhimbjen? E kam bërë unë, madje për një kohë shumë të gjatë. Nuk di t’ju them se për sa kohë, sepse kam qenë e zhytur në një tjetër dimension. Në atë botë, koha nuk ekzistonte, dita me natën ndërroheshin, stinët këmbeheshin me njerë tjetrën në rituale vallëzimesh, ndërsa unë isha ende aty. Duke të shkruar letra ty, duke shkruar cdo gjë që më vinte ndërmend: si ndihesha, çfarë mendoja për ty. Shprehja mllefin, dhimbjen, lëndimin..herë të shaja e të mallkoja, e herë të përkëdhelja me lutje dhe urata. Herë të urreja me gjithë shpirt, e herë qaja dashurinë tonë. Mbajta zi për vdekjen e saj s’di sa muaj a sa vite. Se atëbotë, koha nuk kishte rendësi. 

Ai: 

Pashë se kishe ardhur! 

Ishe m’u aty përballë meje, dhe për një moment u hutova, i humba ekuilibrat e realitetit tim, si dikur, shumë kohë më parë. 

S’paske ndryshuar fare” të thash

Ti paske ndryshuar shumë” më the, duke mos ma këmbyer kortezinë. Sikur në ato fjalët e tua ende fshihej mllef, dhe inate të vjetra sepse dikur të pata braktisur. Të thoja se po e bëja për të mirën tënde, se kur do dikë duhet ta lësh të ikë, të ndjekë udhën e kaderit të vetë, se duhet të pajtohemi me fatin. Por e verteta qe se ëndrrat dhe aspiratat e tua ishin tepër të mëdha për shpatullat e mia. Nuk i bartja dot. 

Më shpjegoje se çdo njeri e ka krijuar Zoti me barrën e vetë dhe se askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit, por mjafton mbështetja gjatë rrugëtimit tonë, por jo të ngarkohemi me atë që s’na takon. Por përsëri ëndrrat e tua më friksonin, më rëndonin, ishin shumë më të mëdha se unë, se ti, se dashuria jonë. 

Paske ardhur! 

Ashtu hareshëm, plot të papritura siç dije gjithmonë ti. Nuk paske ndryshuar fare: po me ato duar të njoma që çelin lule kudo ku prekin. Ma shtrëngon dorën dhe derdhesh në një përqafim rebel si duke lënë mënjaqnë me pahir të gjitha inatet. Një përqafim pas 9vjetësh.

Paske ardhur!

Për me m’a trazuar ekzistencën.për me ma risjell një mall që as nuk e dija se jetonte më, të cilin e kisha groposur prej kohësh. Si paskam arritur ta bëjë këtë as vetë nuk e dij, habitem kur mendoj se sa më shumë luftoja me veten për të harruar, aq më e fortë bëhej dhimbja dhe aq më fuqishëm riktheheshin kujtimet. Sado përpiqesha ta mësoja veten, të pajtohesha, të harroja…nuk mundja, nuk doja! Zhytesha në punë, rrethohesha gjithmonë me njerëz, kaloja nga një ndejë në tjetrën, përcillja çdo sebeb familjar, por në çdo angazhim dhe në çdo ndejë mashtroja veten se jeta vazhdon, edhe atëherë kur çdo gjë ka marr fund.

Ajo: 

Nuk e di si e mora guximin, por këmbët më çuan vetë, mu aty përball faltores ku ti prej vitesh falesh, e dij këtë se ende kemi miq të përbashkët. Po, kam hulumtuar për ty, kam ndjekur rrjedhën e jetës tënde hap pas hapi si ata psikopatët manjakë që ndjekin persona të ndryshëm prej fiksimit. 

Dhe ja tek jam: mu përballë teje. Ti hutohesh për momentin nga tronditja…E di që nuk më prisje, aq më tepër pas 9 vjetësh, aq më tepër këtu. E ndjej prej këtu se si të është vështirësuar frymarrja, se si kanë ndryshuar ritmet e zemrës. E çliron kravatën prej sikletit si ndonjë mekanizëm mbrojtës për të përballuar gjithë këtë të papritur. Duket sikur bota ka ndalur, dhe jemi vetëm unë e tij, e shihemi në sy.

Nuk paske ndryshuar fare, më the. Nuk mbaj mend çfarë t’u përgjigja, por dij që qe një goditje ironike. Thellë thellë, shpirti im me siguri fsheh inate të vjetra, që i kam groposur dhe bëj sikur nuk janë aty.

****

Historia, mitologjia, dramaturgjia ..është plot me histori dashurish të pamundura, të parealizuara..Po kjo nuk është as një përrallë, as mitologji as edhe roman. është një histori e vërtetë. Historia e dy të rinjëve që u deshën por u ndanë. I ndanë! Vendosën të ndahen! Egot e tyre, dhe e të tjerëve ..fituan mbi dashurinë, sepse vetëm në përralla fiton dashuria, jo në jetën reale!