DERË E FIKUR

| Nga AMIR VELIU |

Një erë e thatë shkund pluhurin e moçëm,
mbi çatitë që kërrusen si pleq të harruar,
rrugët e shkreta tresin hapa të vjetër,
ku hijet e kujtimeve enden pa zë.

N’ sarajet e rënduara t’ pritjes,
mbretërit i zë gjumi mbi frone të kalbur,
pashallarët ikën, veç gurët mbetën,
të lodhur nga premtimet që i mori era.

Ke parë shumë sulltanë duke ardhë e ikë,
fjala e tyre si hije mbi ujë,
betimet e tyre si rërë në pëllëmbë,
s’mbeti gjë, veç pluhur e heshtje.

Ti më nuk qan, as më nuk flet,
je veç një oxhak i fikur në shtëpi të braktisur,
një kandil që dridhet dhe tretet ngadalë,
një derë e ndryshkur që askush s’e hap.

E nesër, kur nata të të mbulojë me pluhur,
as hëna s’do ta kujtojë emrin tënd,
se ky qytet ka vdekur një mijë herë,
dhe një mijë herë është harruar.