| Nga HAMDI NUHIJU |
Dielli ka nisur që të përshëndetet me tokën dhe njerëzit për t`ia lëshuar fronin, të ftohtit, borës, shiut e bubullimave. Po mbledh gjërat e nevojshme që i duhen për sezonin e dimrit dhe po pret trenin e radhës. Ju duket rrëfim i pabesueshëm? Ndoshta edhe ironik. Por, ka realitet në fantazinë dhe fanatizmin e Hanës. Hana e mendonte si ditë udhëtimi të hënën, ndërsa arritjen në destinacion të dielën.
Çdo ditë e kaluar e diellit përshkruhej e përcillej me ceremoni nga miliona njerëz. Hana në ditën e parë të udhëtimit të diellit, ka vizatuar të varfrit, foshnjat pa nëna, me bukë në dorë e me lot në sy duke e përcjell ikjen e diellit.
Të martën, në harmoninë filozofike të botës fëmijërore të Hanës, ikja e diellit përshkruhej si një shpërthim i madh atomik. Dukej sikur në ato filmat shkencor të paraqitur në kanalet shkencore të cilat ka pasur mundësi të i shoh së bashku me gjyshin.
E mërkura i kushtohej shoqeve. Po, shoqet e Hanës, kukullat dhe vajzat e lagjes, të veshura me rroba feste e kapnin diellin për bishti.
Të enjten, Hana zakonisht vizitonte tezen. Tezen Rashella që i dhuronte ëmbëlsira. E enjtja e diellit është e ëmbël. Në vizatimet e Hanës gjenden ëmbëlsirat e tezes, që Hana ia paketoi në çantën e udhëtimit diellit.
Dielli ndjehet i lodhur të premten. Është ulur në një skaj të këndit me lodra dhe po vështron fëmijët. Hana, ia vizatoi dy pika lot dhe me dhimbje përshkroi ndarjen prej këndit të lodrave.
Të shtunën, diellit ia veshi rrobat e gjumit. Mbi divan dielli i gëzuar dhe me plotë energji. Të dielën, Hana diellit ia dhuroi një varg me tullumbace me ngjyrë të kuqe. Në to shkruante mirëupafshim !